Kuvendi dje debatoi deri në orët e vona ku në rend dite ishin pesë interpelancat e parashtruara ndaj katër anëtarëve të Qeverisë dhe kryetares së Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale. Deputetët në Kuvend nuk i votuan interpelancat për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve Ivan Stoiljkoviq, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe Zëvendësministrin e Brendshëm Astrit Iseni. Në debatin për katër interpelancat e parashtruara nga Fronti Evropian, nuk votuan as nga shumica në pushtet dhe as nga LSDM-ja opozitare.
Interpelancat ndaj ministrave të Qeverisë u dorëzuan muajin e kaluar nga koalicioni ‘Fronti Evropian’.
Interpelanca për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhitin sipas ‘Frontit Evropian’ e është bërë për shkak se Mexhiti është përgjegjës për keqmenaxhimin e situatave që ndodhin në vend, përfshirë marrëdhëniet ndëretnike.
Mexhiti vlerësoi se interpelanca nuk ka të bëjë me të, as me gjuhën shqipe, as balancuesin apo përfaqësimin e drejtë, por me dëshirën e BDI-së për kthim në pushtet. Ai urdhëroi partinë të reformojë dhe të ndalojë “agresivitetin, arrogancën dhe ngritjen e tensioneve ndëretnike që ka praktikuar gjatë gjashtë muajve të fundit, që kur është në opozitë”.
Interpelanca e dytë për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, është dorëzuar për shkak të mosveprimit dhe mosdeklarimit të tij në lidhje me ngjarjet në Kumanovë, kur disa automjete dhe një dyqan që u përkasin shqiptarëve u dogjën.
Interpelancat për ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni, ‘Frontit Evropian’ i ka dorrëzuar sepse në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në mënyrë të paprecedentë dhe të pajustifikuar, duke penguar manifestim tradicional të shqiptarëve.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës sot me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Kuvendi në njoftimin e pasdites sqaroi që ky votim nuk nënkupton edhe shkarkimin e Dautit nga ky pozicion.