Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Spanja që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kurti ka thënë se është paradoksale që Spanja s’e ka njohur Kosovën, një vend që kundërshton ndikimin rus, e sipas tij “mban një pozicion më afër Serbisë”.
“Është paradoksale që Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një vend pro-evropian që kundërshton ndikimin rus, duke mbajtur një pozicion afër Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka potencuar ai në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”.
Ai ka bërë të ditur se nuk ka pasur kontakte me qeverinë spanjolle, veçse kanë pasur takime në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, por jo se ka pasur dialog mes dy qeverive të dy vendeve.
“Edhe pse kemi pasur ndërveprime në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, këto takime kanë qenë më shumë në nivel personal, kryesisht mes parlamentarëve, por jo ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë. Pavarësisht këtyre takimeve në forume ndërkombëtare, nuk është vendosur asnjë dialog i drejtpërdrejtë apo zyrtar mes qeverive të të dy vendeve. Nuk ka pasur asnjë mënyrë formale për të adresuar çështjen dhe për të avancuar një marrëdhënie të mundshme diplomatike”, ka thënë Kurti.
Tutje, ai ka theksuar se edhe vendet e tjera brenda dhe jashtë BE-së, e që siç tha ai kanë lidhje më të forta me Serbinë se me Spanjën, e kanë njohur Kosovën, dhe shton se njohja nuk kushtëzohet doemos nga lidhjet ekonomike me Serbinë.
Për Kurtin, nëse shteti spanjoll njeh Kosovën, do të ishte një hap drejt stabilitetit brenda Ballkanit.
“Dua të theksoj se vendet e tjera, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, kanë lidhje edhe më të forta me Serbinë sesa Spanja, e megjithatë e kanë njohur Kosovën. Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë, por nga një vendim sovran i bazuar në parimet e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nëse Spanja njeh Kosovën, do të ishte një hap i nënkuptuar drejt stabilitetit brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe kjo do të ishte një përgjigje perfekte për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe bashkimin e Evropës”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, kryeministi i Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë problem mes shteteve, që të bllokojë njohjen.
“Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes. Mendojmë se do të ishte mirë që Spanja t’i bashkohet shumicës së shteteve evropiane që e njohin Kosovën.Ka vende të tjera që, si Spanja, përballen me probleme secesioniste dhe megjithatë e kanë njohur Kosovën. Spanja, historikisht, është shënuar nga territore që kanë pretenduar autonomi më të madhe apo edhe pavarësi. Çështja e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me situatën e brendshme politike në Spanjë”, ka potencuar Kurti.