Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se “kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë” pas një takimi me udhëheqësen e Danimarkës, Mette Frederiksen, që synonte të tregonte unitetin evropian, ndërsa Donald Trump ushtron kërkesat e tij për të fituar kontrollin e Grenlandës.
Kryeministrja daneze u takua me Scholzin në Berlin, përpara takimeve me presidentin francez, Emmanuel Macon, në Paris dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel.
Bëhet e ditur se Trump tha gjatë fundjavës: “Unë mendoj se do të kemi Grenlandën”.
Dhe u raportua se presidenti amerikan e kishte kërcënuar Danimarkën me tarifa, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Ndër tjera, ai ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë ishullin, pjesë e Danimarkës, e cila vazhdon të kontrollojë politikën e tij të jashtme dhe mbrojtjes.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin, as Scholz dhe as Frederiksen nuk përmendën Trumpin apo Grenlandën, por dukej qartë se deklarata ishte për ta.
Pasi foli për agresionin rus në Ukrainë dhe se si “paprekshmëria e kufijve është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare”, Scholz tha: “Parimi duhet të zbatohet për të gjithë. E kam bërë të qartë përsëri disa ditë më parë. Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Ndërsa Frederiksen tha se Evropa aktualisht po përballet me një “realitet më të pasigurt” që kërkon bashkëpunim më të madh: “Ne kemi nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të vendosur që qëndron gjithnjë e më shumë në të drejtën e saj, e aftë për të mbrojtur dhe promovuar interesat evropiane”.
“Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, shtoi Frederiksen.
Raportohet se udhëheqësit e BE-së do të mbajnë samitin e tyre të parë kushtuar mbrojtjes të hënën e ardhshme, për të diskutuar financimin dhe aftësitë ushtarake.
Mbrojtja është ngritur në rendin e ditës që nga agresioni rus në Ukrainë, por kthimi i Trumpit e ka bërë çështjen më urgjente.
Ndryshe, deri më tani, shumica e liderëve të BE-së janë përmbajtur nga komentimi i drejtpërdrejtë i komenteve të Trumpit për Grenlandën.