Kryebashkiakët me thirrje – pronarët e objekteve private të kyçen në pastrimin e borës!

PROBLEMET ME RESHJET E BORËS

Metereologët thonë se reshje të dëborës do të ketë edhe gjatë së martës, pas cka do të pasojë stabilizimi dhe moti më I ftohtë, me temperatura të ulëta të mëngjesit, të cilat vende-vende do të shkojnë deri në minus 10 gradë.

Gjatë dy ditëve të kaluara, vendi është përfshirë nga një valë reshjesh të dëborës. Bora pastroi ajrin dhe gëzoi fëmijtë, por ka shkaktuar probleme dhe vështirësi në shumë drejtime rrugore. Rrugë të bllokuara, njerëz të izoluar nëpër fshatra malore, automjete në defekte, dëmtime të rrjetit elektrik, ndërprerje të furnizimit me ujë janë disa nga problemet me të cilët përballen qytetarët.

Mbulesa e dëborës në vendbanime të vendit nxori në terren Ndërmarrjet Publike dhe mekanizimin e tyre për të pastruar dëborën nga rrugët e qyteteve.

Kryebashkiakët e shumë komunave rregullisht njoftojnë për aktivitete që ndërmerren për të pastruar rrugët që çojnë drejt institucioneve publike dhe vendbanimeve rurale.

Por, sipas tyre, edhe qytetarët duhet të kyçen në pastrimin e dëborës, në veçanti pronarët e objekteve private, për të pastruar borën para ndërtesave të tyre.

Por, sipas Ligjit për pastërti publike, në kushte dimri gjatë reshjeve të borës, të gjithë pronarët, respektivisht shfrytëzuesit e objekteve janë të obliguar që menjëherë të nisin pastrimin e borës në ambiente të hapura para objekteve publike.

Përcaktohen edhe gjoba për personin juridik nëse nuk siguron mirëmbajtje të rregullt dhe cilësore të pastërtisë publike dhe pastrimit të borës. Bëhet fjalë për gjoba që shkojnë nga 500 deri në 1.000 euro në kundërvlerë në denarë. /tvklan.mk