Krenar që nuk jam në mesin e mashtruesve!

Florim Zeqa

Nuk është e lehtë t’i bëhet një rikujtesë dhe analizë e plotë një viti të gjatë kalendarik. Për lexuesit, po i shkëpus dy momentet më pikante të vitit që e lamë pas. Thonë fillimi i mbarë është gjysma e punës, por kur fillon mbrapsht, i tillë vjen edhe përfundimi! Për t’a vërtetuar këtë që e themë dëshiroj ta ilustroj me rrëfimin tim personal

Testi i parë demokratik

Në fillim të vitit 2024, njëri krahë i shkëputur i LDK-së, i emërtuar “Lista Guxo” e kërkuan ndihmën time, ua dhashë. Por falë intuitës sime, që në fillim e vërejta qëllimin e tyre, andaj rasti i parë që m’u dha, ua bëra testin demokratik, nga i cili test dolën të dështuar. Kështu, pas vetëm 45 ditëve i ndamë përseri rrugët, ata vazhduan me Albin Kurtin, ndërsa unë mbeta aty ku isha në shtëpinë e vjetër.

Në fakt, nuk kishte aderim dhe as ç’aderim zyrtar partiak. Thjesht ishte një përgjigje imja pozitive për t’i ndihmuar, prapa së cilës ishte qëllimi imi fisnik për t’i kthyer të arratisurit në shtëpinë e vjetër-LDK.

Pas dështimit në testin demokratik, e kuptova se këtyre nuk ju kishte mbetur as ndjenja më e vogël e rugovizmit në shpirtin e tyre karrierist. Të gjithë dukeshin si të klonuar të Albin Kurtit dhe hije të zbehta të Vjosa Osmanit, të dalldisures pas pushtetit!

Testi i dytë demokratik

Në fillim të muajit shtator të të njëjtit vit, pra të vitit 2024, më erdhi ftesa për t’i ndihmuar përfaqësuesit e LDK-së në themelimin e katër nëndegëve të para në Itali, në tri prej të cilave isha prezent.

Që në fillim i vërejta mangësitë dhe procedurat antidemokratike siq janë mungesa e debatit, listat e mbyllura dhe votimi me aklamacion, si antipod i demokracisë.

Nuk u mjaftova me tërheqjen e vërejtjes për shkeljen e rregullave dhe parimeve bazike të demokracisë.

Kur përfaqësuesit e lartë të LDK-së e kërkuan ndihmën time të mëtutjeshme, atëherë edhe unë e parashtrova kërkesën time legjitime demokratike për t’u bërë pjesë e listes zgjedhore të LDK-së si ish nënkryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Klinë (1992-93) dhe si aktivist dhe veprimtarë i kësaj partie nga themelimi e deri në ditët e sotme.

Me kërkesën time fillimisht e njoftova njërën nga nëndegët e posathemeluara të LDK-së në Itali, kryesinë e degës së LDK-së në Klinë, kryesinë qendrore dhe kryetarin e partisë, z. Lumir Abdixhiku, deputetët aktual, dhjetra ish ministra dhe anëtarë të Këshillit të Përgjitshëm të LDK-së, prej të cilëve mora “mbështetje” të parezervë, me fjalët: “Jeni i merituar dhe do ta keni mbështetjen time”!

Pas publikimit të listës zgjedhore, e kuptova se të gjithë ata që më premtuan, në fakt më mashtruan.

Përtej mashtrimit, u treguan të pandërgjegjshëm, ku asnjëri prej tyre nuk më kërkuan falje!

Nuk paten si të më kërkojnë falje, pasi të gjithë ishin në listën zgjedhore të LDK-së!

Të gjithë paskan qenë mësitë interesegjinjë sikurse puna e atij mësitarit që ka shkuar për ta kërkuar një vajzë të bukur për dikë tjetër, por kur e sheh vajzen e pëlqen dhe e nxan për djalë t’vetin!

Ndjehem i lumtur dhe krenar që nuk jam në mesin e mashtruesve. Isha, jam dhe do të mbetem në mesin e anëtarësisë më të devotshme të LDK-së dhe përjetësisht mbështetës i pathyeshëm i filozofisë politike rugoviane.