Kosova s’e arriti objektivin në Ligën e Kombeve, tash e synon Ligën B

Kombëtarja e Kosovës në futboll e nisi vitin 2024 me selektor të ri.

Dardanët i mori në dorë trajneri gjerman, Franco Foda, i cili e pasoi të larguarin Alain Giresse, shkruan “Gazeta Express”.

Me atë rast, Federata e Futbollit i aranzhoi tri ndeshje miqësore për ekipin kombëtar, dy në muajin mars dhe një në qershor.

Ish-selektori i Austrisë e nisi me këmbë të mbarë aventurën dardane duke e mposhtur Armeninë në Jerevan me rezultat 1:0 falë golit të Milot Rashicës.

E në miqësoren e dytë, po atë muaj, Kosova u tregua e pafuqishme përballë Hungarisë në “Puskas Arena”.

Vendësit fituan me rezultat 2:0, ndërsa kjo ishte humbja e parë e vitit 2024 për kosovarët.

Vedat Muriqi me shokë ishin inferiorë edhe ndaj Norvegjisë në miqësoren e qershorit, ndaj së cilës humbën 0:3.

Për vendësit në Oslo tri herë shënoi Erling Haaland.

Pas këtyre miqësoreve, trajneri Foda e kishte një pasqyrë më të mirë rreth kualitetit dhe gjendjes së ekipit.

Pas pushimit veror, Dardanët u rikthyen në aksion në pjesën e dytë të vitit me angazhimet që po i prisnin në Ligën e Kombeve.

Ata u paraqitën në Grupin 2 të Ligës C, ndërsa përfunduan në grup me Rumaninë, Lituaninë dhe Qipron.

Përkundër pritshmërive të mëdha, Verdhekaltrit përfunduan në vendin e dytë me 12 pikë, prej tyre 4 fitore e 2 humbje.

Kosova e nisi dobët edicionin e ri të Ligës së Kombeve duke u mposhtur nga Rumania në stadiumin “Fadil Vokrri”, 0:3.

Ky ishte një shok i madh për dardanët pasi humbën nga rivali kryesor për kreun e tabelës.

Kritika mori edhe trajneri Foda për taktikën e tij dhe për nisjen e lojës me dy sulmues.

Më pas, Kosova e mori veten dhe i regjistroi katër fitore radhazi, duke i mundur nga dy herë Lituaninë dhe Qipron.

Kjo ishte hera e parë në histori që Kombëtarja i fiton katër ndeshje radhazi në ndeshje zyrtare.

E në ndeshjen vendimtare ndaj Rumanisë, Zhegrovës me shokë iu nevojitej fitorja me më shumë se tre gola në Bukuresht.

Por, skandali që ndodhi në “National Arena”, me tifozët vendës që i fyen në baza raciste lojtarët e Kosovës, bëri që loja të ndërpritej në minutat shtesë tek rezultati 0:0.

Më pas, UEFA vendosi që ta regjistronte lojën me rezultat 3:0 në të mirë të rumunëve dhe Kosova kështu përfundoi e dyta në grup, shkruan “Gazeta Express”.

Me këtë rast, Dardanët do të përballen me Islandën në muajin mars në një duel të dyfishtë në ndeshjen e “play-off”-it, përmes së cilit do ta kërkojnë inkuadrimin në Ligën B.

Duke e pasur parasysh se krerët e Federatës së Futbollit nuk e kishin fshehur objektivin për të përfunduar të parët në grup, ky edicion i Ligës së Kombeve për Kosovën nuk mund të konsiderohet si i suksesshëm.

Në pjesën e dytë të vitit 2025, trupa e Franco Fodës do të jetë e angazhuar në kualifikimet e Kupës së Botës 2026.