Konfirmohet fajësia për vrasësit e aktivistit Enver Hadri

Juria e Gjykatës së Apelit të Belgjikës ka konfirmuar të martën në mbrëmje fajësinë për vrasësit e aktivistit kosovar Enver Hadri.

Pas gati tri javë shqyrtimi gjyqësor, që është zhvilluar pasi dy nga tre të akuzuarit dhe të dënuarit kanë deponuar ankesë në vendimin paraprak gjyqësor. Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, në vitin 2016 janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit.

Atyre iu është shqiptuar dënimi i përjetshëm. Vetëm dy nga tre të dënuarit: Spasiq dhe Drashkoviq kanë deponuar ankesë. Të tre janë dënuar në mungesë sikur në vitin 2016, ndërsa edhe rigjykimi është mbajtur pa prezencën e tyre, meqë të tre janë në Serbi.

Shteti serb refuzon ekstradimin e tyre. Kur u aktualizua çështja e rinisjes së gjykimit, Bozhidar Spasiq madje u paraqit në disa mediume serbe.

Aktivisti kosovar Enver Hadri u vra në mes të ditës në Bruksel, më 25 shkurt të vitit 1990, derisa ishte në timon të makinës së ndalur para semaforit të kuq.

Edhe gjykata belge ka konstatuar se vrasja e tij ishte porositur nga shërbimi sekret jugosllav, ndërsa është ekzekutuar nga kriminelët me ndihmë logjistike nga Beogradi. Gjatë rigjykimit që nisi më 9 janar, janë dëgjuar edhe një numër dëshmitarësh, si përfaqësues të emigratës kosovare ashtu edhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë elaboruar kontekstin gjeopolitik dhe mënyrën se si kanë funksionuar shërbimet sekrete gjatë të 90-ave.

Vajza e Enver Hadrit, Teuta, në një prononcim për transmetuesin publik ka thënë gjatë procesit janë dëshmuar lidhjet e mes shërbimeve sekrete serbe e jugosllave dhe rrjetit kriminel të Beogradit në atë kohë.

“Ata që kanë organizuar vrasjen e babait tim, me dokumentet e shtetit të tyre, janë shpallur fajtorë,” ka deklaruar Teuta Hadri.

“Kjo nuk është vetëm fitore e familjes sonë. Kjo është fitore për të gjithë aktivistët e asaj kohe, sepse është zbardhur e vërteta se për çfarë kanë kaluar emigrantët duke luftuar për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe për lirinë e Kosovës që ne sot e gëzojmë,” ka shtuar Teuta Hadri.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që e ka ofruar qeveria e Kosovës për familjen, por edhe për procesin.

Juria 12 anëtarëshe të martën në mbrëmje konfirmoi vetëm fajësinë, ndërsa të mërkurën pritet që të vendoset edhe për kohëzgjatjen e dënimit. Familja Hadri shpreson se dënimi do të jetë i njëjtë sikur ai i vitit 2016, kur tre të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm.