Në seancën gjyqësore në rastin “Kobra”, ku të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”,Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli akuzohen për vrasjen e Visar Cengut më 3 janar 2023, u dëgjuan dy dëshmitarë, babi i viktimës, Behar Cengu dhe Vllaznim Mustafa, derisa mungoi dëshmitarja, Alketa Sadiku.
Babi i viktimës, Behar Cungu gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka kërkuar drejtësi për vrasjen e djalit të tij.
Ai tha se asnjë nga të akuzuarit përfshirë edhe Dibran Hoxhaj nuk e njeh dhe as nuk ka pas asnjë konflikt.
Tutje Cungu para trupit gjykues tha se lajmin për vrasjen e djalit të tij e kishte marr nga kolegu i tij i punës.
“Ai e kishe marr vesh ngjarjen nuk dishim gjë në familje, nuk isha i njoftuar. Më tha a ka Behar tjetër në Kukës ai shoku i punës, jo i thash vetëm unë. Më tha mundesh me ik deri tek spitali…Shkova e gjeta djalin aty. Prokurorja: A e dini a e ka njohur ndonjë person prej të pandehurve djali: Shpesh ato kur vishin prej emigrimit vinin në Kosovë, nuk e di…Vetëm di një gjë që djali nuk ka pas gjë me vete fare si ka ngrënë bukë ka dal nga shtëpia, ndoshta edhe lekë nuk ka pas me vete në kohën kur ka dal nga shtëpia… Bashkërisht me gjithë familjen time me gjithë vëllezër gjithë çka kam drejtësi dua karshi djalit, nuk dua me thënë nuk kam qenë në ngjarje vetë”, theksoi ai.
Pyetje për babin e viktimës, Behar Cungu, pati avokati mbrojtës i të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”. Avokati, Latifi kërkoi të di nga dëshmitari se kënd e kishte takuar kur kishte shkuar në spital. Më pas, dëshmitari tha se ka takuar djalin dhe persona të tjerë, dhe i plagosuri tjetër që ishte me djalin e tij kishte shkuar në Tiranë.
Dëshmitari i parë në këtë rast, Behar Cungu tha se asnjëherë nuk ka pas problem me askënd në Kosovë dhe as me familjen e Dibran Hoxhaj.
I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, se a ishte takuar me shokët e djalit të tij, Rifgen Shehu dhe Arben Bashkën, babai i viktimës tha se asnjëherë nuk është takuar me ta pasi ata ndodhen jashtë vendit.
“Avokati Latifi: Pas ngjarjes a jeni takuar ndonjë me Rufgenin dhe Arbenin….Cungu: Po kanë marr pjesë në varrim….Latifi: A keni biseduar ndonjë me ta deri më tani ose familja juaj me Arbenin ose Rufgenin me i pyt çka ndodhi… Cungu: Jo jo fare hiq.. Latifi: Deri më sot që po flasim tash më datën 3 janar 2023 kur ka ndodh ngjarja, a keni pas rast me Rufgenin dhe Arbenin se çka ndodhi me djalin tem.. Cungu: Janë jashtë, janë në Angli, nuk rrinë këtu… Latifi: Familja juaj flas për ty personalisht, për vëllezërit tuaj për familjen më të gjerë kushterit a keni problem me familjen e Dibran Hoxhës apo dikë në Kosovë… Cungu: Kurrë në jetë jo me këtë po me asnjë”, tha ai.
Seanca gjyqësore vazhdoi me pyetjen e gjyqtarit, Vesel Ismali, i cili kërkoi të di nga dëshmitari Cengu se çfarë njohurish ka për ngjarjen që i ka ndodhur djalit të tij.
Më pas, babai i viktimës në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë tha se nuk di asgjë për atë çka ka ndodhur me djalin e tij pasi nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Përfundimisht drejtësia bënë punën e vetë, e kemi lënë në dorën e drejtësisë si të vendoset unë nuk di asgjë nuk kam qenë në vendin e ngjarjes”, tha ai.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshminë e tij e dha edhe Vllaznim Mustafa i cili në natën kritike ku kishte ndodhur vrasja e Visar Cungu ishte duke kënduar në lokalin “Kobra City”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, dëshmitari Mustafa deklaroi se derisa ishte pothuajse fundi i mbrëmjes tre persona që ishin nga Shqipëria kishin dal jashtë dhe qetësisht kishin biseduar me menaxherë e lokalit.
Sipas tij në momentin kur ishin kthyer brenda në lokal, personat nga Shqipëria kanë përplasur derën dhe kanë rrëzuar një tavolinë derisa kishin tentuar të hynin në zyrën e lokalit.
E më pas ai thotë se asgjë nuk i kujtohet dhe as nuk ka dëgjuar pasi për tu vetëmbrojtur ka shkuar në tualet dhe nuk ka dal derisa kanë ardhur policia.
“Unë kam qenë duke kënduar aty, patën dal jashtë biseduan nëse nuk gaboj.,.. Prokurorja: A ke vërejtur ndonjë grup të njerëzve nga Shqipëria… Dëshmitari: E di që kanë qenë tre persona nga Shqipëria….Prokurorja: Kur kanë ardhur….dëshmitari: Nuk i kam parë unë kur kanë ardhur….Prokurorja: Kush ka qenë i ulur me ta a kanë qenë vetëm ata tre apo edhe dikush tjetër…Dëshmitari: Nuk e di…Momentin kur kanë hyrë brenda ata i kanë përplasur derën kanë hyrë me egërsirë. Nëse nuk gaboj këta të Shqipërisë kanë hyrë duke e shtyrë derën edhe kanë rrëzuar një tavolinë aty, marrin turr me hy në zyre përplasin derën. Aty kur e kam parë rastin kam vazhduar kam hy në tualet vetëmbrojtje kam bërë….Derisa kanë ardhur Policia në atë moment kam dal jashtë…Prokurorja: E ke dëgjuar diçka ndonjë zhurmë….Dëshmitari: Jo nuk kam dëgjuar”, u shpreh dëshmitari Mustafa.
Dëshmitari, Vllaznim Mustafa u pyet nga avokati mbrojtës i Dibran Hoxhaj, Florent Latifaj se klientin e tij në natën kritike a e ka parë në sallën e lokalit.
Dëshmitari deklaroi se atë natë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” e ka takuar në fillim dhe në fund kur e ka marr pagesën.
Sipas tij gjendja e “Kobrës” ka qenë e qetë.
“Atë natë kur ka ndodhur ngjarja Dibranin a e ke parë aty… Dëshmitari: Në atë moment jo vetëm kur kam shkuar në fillim të punës po bile atëherë i pata thënë në fillim të punës i pata thënë a mund ta gjej dikënd tjetër se unë atë natë pata me përfundua se unë kam qenë vetëm zëvendësim….59’27Avokati Latifi: A të kujtohet gjendja e Dibranit kur ua ka ndarë bakshishet, rrogat …Dëshmitari: Qetë ka qenë. Nuk kemi pas fjalë apo diçka qetë ka qenë”, theksoi ai.
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli në shqyrtimin fillestar gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren./Kosovapress