“Kjo është për nënën time të ndjerë”, Nicole Kidman shpërthen në lot në ndarjen e çmimeve ‘Palm Springs’

Nicole Kidman ka marrë një çmim të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs për interpretimin e saj në filmin “Babygirl”. Aktorja e njohur ia dedikoi këtë çmim nënës së saj të ndjerë, Janelle Kidman, duke shprehur emocionet e forta që ajo ndien pas humbjes së saj.

Fillimisht, Kidman falënderoi regjisoren e filmit, Halina Reijn, për mundësinë që i dha dhe më pas kujtoi nënën e saj, duke pranuar se vazhdon ende të vuajë humbjen e saj. Në një moment emocional, Kidman nuk i mbajti dot lotët.

“Faleminderit që më dhatë mundësinë të them, ‘kjo është për mamanë time’. Gjithë karriera ime ka qenë për prindërit e mi, të cilët tashmë nuk janë më këtu. Do të vazhdoj të punoj dhe të jap më të mirën për botën, sepse e dua atë që bëj. Ju dua dhe ju të gjithëve, dhe jam shumë mirënjohëse për privilegjin që kam të jem pjesë e komunitetit të filmit”, tha ajo me emocione.


Foto: Profimedia/EPA
Duke vazhduar fjalimin, ajo shtoi: “Më vjen keq që po qaj, nuk e doja këtë, por tani ndiej praninë e mamit tim, kështu që kjo është për të.”

Në shtator, Nicole Kidman mungoi në premierat e filmit “Babygirl” në Festivalin e Filmit në Venecia dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, pasi mësoi për vdekjen e nënës së saj.

Janelle Kidman ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare. Lajmin e trishtë Nicole e mori ndërsa ndodhej në Venecia dhe u detyrua të kthehej menjëherë pranë familjes. Në vend të saj, çmimin në Venecia e pranoi regjisorja Halina Reijn, e cila lexoi një deklaratë të ndjerë nga aktorja: “Sot mbërrita në Venecia dhe pak më vonë mësova se mamaja ime e dashur, e guximshme, Janelle Ann Kidman, sapo kishte ndërruar jetë. Jam në gjendje shoku dhe duhet të jem pranë familjes sime. Por ky çmim është për të. Ajo më ka formuar, më ka udhëhequr dhe më ka krijuar. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse që përmes Halinës mund të përmend emrin e saj. Përplasja mes jetës dhe artit është e vështirë, dhe zemra ime është e thyer. Ju duam të gjithëve”.


Foto: Profimedia/EPA
Nicole Kidman ka pasur një lidhje shumë të veçantë me nënën e saj, e cila kishte probleme shëndetësore vitet e fundit. Aktorja kishte marrë përsipër kujdesin për të, duke treguar gjithnjë dashurinë dhe përkushtimin e saj të pashoq.