Kanadaja ka hartuar një listë fillestare prej 150 miliardë dollarësh kanadezë (105 miliardë dollarë amerikanë) të mallrave të prodhuara në SHBA që do të goditeshin me tarifa, nëse presidenti i zgjedhur Donald Trump vendos tarifa ndaj mallrave kanadeze, sipas një zyrtari të njohur me këtë çështje.
Lista është ende në fazën e draftit dhe do të zbatohej vetëm nëse administrata Trump vepron e para, tha personi, duke kërkuar të mbetet anonim. Më shumë tarifa nga Kanadaja mund të shtohen më vonë, në varësi të veprimeve të SHBA-së, shtoi ai.
Nuk dihet se cilët produkte janë përfshirë në këtë listë fillestare. Kur Trump vendosi tarifa mbi çelikun dhe aluminin kanadez në vitin 2018, Kanadaja u përgjigj me tarifa mbi një sërë mallrash të prodhuara në SHBA, si uiski dhe lavatriçet, si një taktikë presioni që synonte fabrikat në zona ku politikanët republikanë kishin ndikim. Ato tarifa ishin shumë më të vogla në përmasë, duke prekur rreth 16.6 miliardë dollarë kanadezë të eksporteve amerikane në atë kohë.
Kanadaja importoi mallra me vlerë 487 miliardë dollarë kanadezë nga SHBA në 12 muajt deri në nëntor, kështu që tarifat hakmarrëse do të mbulonin gati një të tretën e vlerës së produkteve që vendi verior blen nga fqinjët e tij jugorë.
Image
Kryeministri Justin Trudeau dhe kryeministrat e provincave të Kanadasë u takuan në Otava të mërkurën për të hartuar një strategji për të përballuar proteksionizmin amerikan.
Kryeministrat e 12 nga 13 provincat dhe territoret e Kanadasë ranë dakord për një deklaratë ku thuhej se ata do të “bashkëpunojnë për një gamë të plotë masash për të siguruar një përgjigje të fortë ndaj tarifave të mundshme të SHBA-së.” Por kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, nuk pranoi, duke thënë se nuk mund të pajtohej me dy ide që janë propozuar, vendosjen e taksave të eksportit mbi energjinë ose reduktimin e këtyre eksporteve.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i cili drejton provincën që është qendra e industrisë së makinave në Kanada, tha se liderët politikë të vendit duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë kërcënimeve në rritje të Trump-it. Javën e kaluar, presidenti i zgjedhur sugjeroi përdorimin e “forcës ekonomike” për ta kthyer përfundimisht Kanadanë në një shtet të SHBA-së.
“Kur Donald Trump na sulmon, ai nuk do të thotë, ‘Epo, le të mos shqetësohemi për Ontarion, ata janë njerëz të mirë, ose Albertën.’ Ai po vjen me tërë forcën kundër kanadezëve si tërësi,” tha Ford. “Dhe kjo është një gjë që duhet ta kuptojmë. Duhet të jemi të bashkuar.”
Në fjalimin e tij të hapjes në takim, Trudeau theksoi një mesazh pozitiv, duke thënë se Kanadaja dhe SHBA kanë mundësi të ndërtojnë “partneritete” në energji. Kanadaja ka mineralet kritike të nevojshme për të nxitur transformimin e ekonomisë amerikane, tha kryeministri.
“Nëse nuk i marrin nga Kanadaja, do t’i marrin nga Kina,” tha Trudeau.
Ford, i cili shkoi në takim me një kapele blu me mbishkrimin “Kanadaja nuk është në shitje,” tha se ishte “besimtar i fortë” në tarifat hakmarrëse.
“Nuk mund të lejoni dikë t’ju godasë në kokë me një çekiç të rëndë pa i goditur dyfish më fort, sipas mendimit tim,” tha ai.