Ndërmjetësuesit po bëjnë përpjekje të reja për të arritur marrëveshjen për t’i ndalur luftimet në rajon dhe për t’i liruar pengjet izraelite, para se Donald Trump të marrë detyrën si president i ri i SHBA-së më 20 janar. Përpjekjet janë që marrëveshja të përfshijë edhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Steve Witkoff, i dërguar i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për Lindjen e Mesme, është takuar të shtunën me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, mes përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi në Gazë.
Për takimin njoftoi zyra e kryeministrit izraelit, ndërsa menjëherë pas tij, ai dërgoi në Katar një delegacion të nivelit të lartë për të avancuar bisedimet për kthimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në rajon. Sipas deklaratës së publikuar nga zyra e Netanyahut, në këtë delegacion i përfshirë është edhe udhëheqësi i Agjencisë Izraelite të Zbulimit Mossad.
Më herët të shtunën, një zyrtar izraelit ka thënë se është arritur “njëfarë përparimi në bisedimet indirekte” mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, nën ndërmjetësim të Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së.
Ndërmjetësuesit po bëjnë përpjekje të reja për të arritur marrëveshjen për t’i ndalur luftimet në rajon dhe për t’i liruar pengjet izraelite, para se Donald Trump të marrë detyrën si president i ri i SHBA-së më 20 janar. Përpjekjet janë që marrëveshja të përfshijë edhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Familjet e pengjeve izraelite e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit Netanyahu. Disa prej tyre madje e kanë konsideruar si “mundësi historike”.
Witkoff të premten ishte në Doha dhe u takua me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit.
Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe ata të Katarit kanë marrë garanci nga ai se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë punën për marrëveshje të drejtë që t’i jepet fund luftës së shpejti, kanë bërë të ditura burimet egjiptiane të sigurisë. Nuk janë dhënë detaje të tjera.
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar javëve të fundit përpjekjet për arritjen e armëpushimit. “Ne duam shumë ta çojmë këtë në vijën e finishit në dy javët e ardhshme, kohën që na mbetet”, ka thënë sekretari amerikan i shtetit në largim, Antony Blinken, në një konferencë shtypi në Korenë e Jugut javën e shkuar.
E presidenti Joe Biden ka thënë se ka parë përparime, teksa ka akuzuar Hamasin se po e pengon shkëmbimin e të burgosurve. “Por unë mendoj se mund të arrihet, duhet ta realizojmë”, ka thënë ai.
Ekipi i Bidenit është duke u koordinuar me administratën e ardhshme të Trumpit. “Në fakt, unë besoj se po punojmë së bashku në një mënyrë vërtet të mirë. Por është presidenti, reputacioni i tij, gjërat që ai ka thënë, ato që e drejtojnë këtë negociatë”, ka thënë Steve Witkoff, i dërguari i presidentit të ardhshëm amerikan për Lindjen e Mesme.
Në fillim të javës, Trumpi ka përsëritur ultimatumin për një marrëveshje që do të lironte pengjet izraelite të mbajtura nga Hamasi. “Nëse ata nuk lirohen deri sa të marrë detyrën, tmerri do të pasojë në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai.
Izraeli e pati nisur sulmin në Gazë, në tetor të 2023-s kur militantët e Hamasit sulmuan pjesën jugore të shtetit duke vrarë 1200 persona e duke marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave të Izraelit. E që nga ajo kohë, nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 46 mijë persona në Gazë, sipas të dhënave të zyrtarëve palestinezë të Shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi. Grupi i militantëve, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, nuk bën ndarje mes viktimave civile dhe militantëve të vrarë.