Zv.kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin Zgjedhor të Forumit të Gruas së Lëvizjes Demokratike, ka adresuar akuzat e opozitës shqiptare, të udhëhequr nga BDI-ja, lidhur me përfaqësimin adekuat në institucione.
Mexhiti ka rikujtuar se për vite të tëra, nga viti 2002 deri në vitin 2015, nuk ka ekzistuar asnjë ligj apo mekanizëm për përfaqësimin adekuat të komuniteteve, ndërsa më vonë mekanizmi i balancuesit u hoq nga Gjykata Kushtetuese.
“Ata që sot akuzojnë, harrojnë që për 20 vite nuk kanë sjellë një ligj për përfaqësim adekuat. Prej vitit 2015 ka ekzistuar vetëm mekanizmi i balancimit, i cili më pas u anulua nga Gjykata Kushtetuese. Ne nuk jemi si ata që kur u hoq ligji për librat amë, që fëmijëve t’u përcaktohet përkatësia etnike, as nuk bënë zë. Ne kemi dëshmuar se jemi faktor në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut,” deklaroi Mexhiti.
Ai njoftoi se është në përfundim një zgjidhje ligjore që do të sigurojë përfaqësim adekuat dhe të detyrueshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe funksionarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.