Palestinezët do të pengojnë planin e Trump për t’i dëbuar ata nga Gaza, sipas zyrtarit të lartë të Hamasit, Bassem Naim.
Naim i tha AFP se grupi kundërshton me forcë propozimin e presidentit të SHBA-ve për të rivendosur banorët e Gazës në Egjipt dhe Jordani.
“Ashtu siç kanë prishur çdo plan për zhvendosje dhe atdhe alternativë gjatë dekadave, populli ynë do të pengojë plane të tilla edhe këtë herë”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton një plan për të “pastruar” Gazën me palestinezët në Egjipt dhe Jordani, në një përpjekje për të nxitur paqen në Lindjen e Mesme.
“Ne po flasim për një milion e gjysmë njerëz dhe do ta pastrojmë atë”, u tha Trump gazetarëve, duke thënë se masa mund të jetë “e përkohshme” apo edhe “afatgjatë”.
Trump tha se kishte folur për këtë çështje me mbretin e Jordanisë, Abdullah II dhe ishte i vendosur të bënte të njëjtën gjë në orët e ardhshme me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.
“Unë do të doja që Egjipti dhe Jordania të mirëpresin njerëzit”, u tha presidenti gazetarëve në bordin e avionit presidencial, Air Force One.
“Tani për tani zona është fjalë për fjalë një vend rrënimi, ata po shkatërrojnë pothuajse gjithçka dhe njerëzit po vdesin atje. Prandaj unë do të preferoja të angazhohesha me kombet arabe dhe të ndërtojnë banesa diku tjetër, ku ndoshta mund të jetojnë në paqe për një herë”.