Gjyqësori në RMV, Kambovski: Vendi i vetëm për shkarkimin e anëtarëve është Këshilli Gjyqësor

Vetë gjykatësit kanë besim të ulët në Këshillin Gjyqësor, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kryetari i këtij Këshilli, Aleksandar Kambovski. Sipas tij, qëllimi është që fillimisht të kthehet besimi nga gjyqësori, kurse për gjykatësin Enver Bexheti, I cili është në “listën e zezë” amerikane, potencon se nuk është e këndshme të shihet se si ende po ndanë drejtësinë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kuvendi nuk mund të shkarkojë anëtarë të këtij trupi, kurse shtë shprehur edhe kundër idesë për shkarkim të plotë. Qëllimi, sic thotë, është që të kthehet besimi nga gjykatësit, për shkak se edhe tek ata është në nivelin shumë të ulët.

ALEKSANDAR KAMBOVSKI – KRYETAR I KËSHILLIT GJYQËSOR

“Jemi dëshmitarë se shumë procedura zgjasin shumë gjatë nëpër gjykata. Duhet të konsultohen gjykatësit, përse është kështu, ku është problemi, ta detektojmë, të përpiqemi që përmes ndryshimeve ligjore të shkurtohen këto afate. Në këtë mënyrë edhe qytetarët më shpejt do të arrijnë tek drejtësia dhe do të jenë më të kënaqur. Kjo nuk mund të bëhet brenda natës, është një proces që duhet të zhvillohet me kujdes dhe në fund do të rezultojë me rritjen e besimit në gjyqësorin.”

Por, ndryshimet e fundit që paralajmërohen për Këshillin Gjyqësor janë se do të shkarkohen anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi, për shkak të raportit negativ vjetor.

Kreu i Këshillit Gjyqësor nuk I sheh kritikat e pushtetit ekzekutiv si presione duke vlerësuar se nuk është ide e mirë që në mënyrë kolektive të shkarkohen trupat kolektive. Angazhohet për përgjegjësi individuale.

ALEKSANDAR KAMBOVSKI – KRYETAR I KËSHILLIT GJYQËSOR

“Nuk mund të themi se të gjithë gjykatësit nuk janë të mirë dhe duhet të shkarkohen të gjithë. Jo, përgjegjësia individuale është ajo që duhet t`i kushtohet kujdesi dhe me të vërtetë ata individë që nuk e kryejnë punën, të përgjigjen. Nuk mund që të gjithë të tjerët që bëjnë punën, janë profesionistë dhe personalitete me integritet të lartë, të vuajnë për shkak të kolegëve tjerë.”

Ndryshe, Kryeministri Mickoski, mbetet në qëndrimin për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor duke vlerësuar se besimi i ulët duhet të jetë nxitje për anëtarët që vet t`i braktisin pozitat dhe pret që anëtarët e rinj të zgjedhur të kenë qëllime dhe agjenda ndryshe nga të mëparshmit.

Mickoski ka përsëritur qëndrimin edhe për shkarkimin e anëtarëve që zgjidhen nga Kuvendi, duke potencuar se Këshilli Gjyqësor ka legjitimitet por nuk është legjitim në mesin e qytetarëve./tvklan/