Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në Nju Jork

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë të enjten kërkesën Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga një gjykatë në shtetin e Nju Jorkut për veprat penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit.

Gjykata me një vendim 5-4 mohoi kërkesën e bërë në momentet e fundit nga avokatët e zotit Trump për të frenuar dhënien e dënimit, të planifikuar për të premten në orën 9:30 të mëngjesit në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut në Manhatan. Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe kolegia e tij konservatore, Amy Coney Barrett iu bashkuan tre anëtarëve liberalë të gjykatës – Sonia Sotomayor, Elena Kagan dhe Ketanji Broën Jackson – në votimin kundër kërkesës së zotit Trump.

Gjykatësi i çështjes së zotit Trump, Juan Merchan, tha javën e kaluar se ai nuk ishte i prirur ta dënonte me burg presidentin e zgjedhur republikan dhe ka të ngjarë ta lirojë atë pa kushte. Kjo do të thotë se vendimi për ta shpallur atë fajtor për akuzat penale do të jetë pjesë e dokumenteve të gjykatës, por ai nuk do të marrë dënim me burg, gjobë apo lirim me kusht.

Katër gjykatës konservatorë – Clarence Thomas, Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – votuan në favor të kërkesës së zoti Trump.

Gjykata e Lartë mori për shqyrtim kërkesën e zotit Trump për të ndalur dhënien e dënimit pasi ajo u refuzua nga Gjykata e Lartë e shtetit të Nju Jorkut të enjten.

Ish-presidenti Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Zonja Daniels pretendon se pati një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006 pasi e takoi në një turne golfi në Lake Tahoe. Ish-presidenti Trump e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim.

Prokurorët thonë se pagesa për zonjën Daniels ishte pjesë e një skeme më të gjerë për të blerë heshtjen e personave që mund të dilnin publikisht gjatë fushatës elektorale me histori turpëruese për marrëdhënie jashtëmartesore. Prokurorët thanë se ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i bëri pagesat për zonjën Daniels dhe se më vonë ai rimbursua nga zoti Trump, kompania e të cilit i regjistroi pagesat si shpenzime ligjore.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit ndëshkohet me deri në katër vite burgim. Zoti Trump është ish-presidenti i parë amerikan që është shpallur fajtor për një vepër penale. /VOA