Financial Times: Musk diskuton mënyrat për të larguar kryeministrin britanik Starmer para zgjedhjeve të ardhshme

Miliarderi Elon Musk ka zhvilluar diskutime private me aleatë për largimin e kryeministrit britanik Keir Starmer nga posti i tij para zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme.

Musk, njeriu më i pasur në botë dhe një aleat i ngushtë i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, muajin e kaluar mbështeti një parti gjermane kundër emigracionit para zgjedhjeve të planifikuara në shkurt dhe ka komentuar shpesh për politikën britanike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Starmer.

Musk po shqyrton mënyrat sesi ai dhe aleatët e tij mund të destabilizojnë qeverinë laburiste dhe ka kërkuar informacion për ndërtimin e mbështetjes për lëvizje alternative politike në Britani për të sjellë një ndryshim të qeverisë. Raporti citon persona të njohur me çështjen.

“Sipas Musk-ut, vetë civilizimi perëndimor është i kërcënuar,” citohet të ketë thënë një nga burimet për FT.

Më parë, Musk kishte akuzuar Starmerin për atë që ai e quajti dështim për të ndjekur penalisht bandat e burrave që dhunuan vajza të reja kur ai ishte drejtor i ndjekjeve penale midis viteve 2008 dhe 2013. Starmer, më pas, mbrojti punën e tij si prokurori më i lartë i Britanisë.

Ndërkohë, Musk pritet të presë një intervistë të drejtpërdrejtë me lideren e partisë Alternativa për Gjermaninë, Alice Weidel, në platformën X të enjten. Partia gjermane e mbështetur nga Musk është cilësuar si ekstremiste e djathtë nga shërbimet gjermane të sigurisë.

Më herët këtë javë, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, shprehu shqetësimin e tij për përfshirjen e Musk-ut në çështjet politike të vendeve jashtë Shteteve të Bashkuara. / Financial Times – Syri.net