Erling Haland nuk ikën nga Mançester Siti/ Firmoset një nga kontratat më fitimprurëse të të gjitha kohërave

Erling Haland nuk do largohet nga Mançester Siti. Sulmuesi norvegjez ka nënshkruar një kontratë rekord, për 9 vjet e gjysmë duke bërë që të drejtat e kartonit ekipi ti ketë deri në 2034.

Sipas Athletic, zgjatja e kontratës heq të gjitha klauzolat e mëparshme të lirimit në marrëveshjen e yllit.

Marrëveshja e re e Haland thuhet se është një nga kontratat sportive më fitimprurëse të të gjitha kohërave. Ai do të jetë 34 vjeç kur t’i skadojë pakti

Zgjatja do t’i japë një shtysë të madhe Sitit mes një sezoni të vështirë për kampionët në fuqi të Premier Ligës të cilët aktualisht janë në vendin e gjashtë në tabelë, 12 pikë prapa liderit Liverpul.

“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar kontratën time të re dhe mezi pres të kaloj edhe më shumë kohë në këtë klub të mrekullueshëm. Manchester City është një klub i veçantë, plot me njerëz fantastikë dhe me tifozë të jashtëzakonshëm.

Është një mjedis që të ndihmon të nxjerrësh më të mirën nga vetja. Gjithashtu dua të falënderoj Pep-in, stafin e tij teknik, shokët e skuadrës dhe të gjithë në klub, pasi më kanë ndihmuar kaq shumë gjatë këtyre viteve.

Ata e kanë bërë këtë një vend kaq të veçantë dhe tani jam pjesë e City-t, pa marrë parasysh asgjë tjetër. Dua të vazhdoj të zhvillohem, të punoj për t’u përmirësuar dhe të jap maksimumin tim për të ndihmuar në arritjen e më shumë sukseseve në të ardhmen”, tha ai. Deri tani Haland ka realizuar 16 gola në 21 ndeshje në kampionatin anglez.