Elon Musk nxit spekulime me gjestin gjatë fjalimit (VIDEO)

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka nxitur spekulime online kur e bëri dy herë një gjest në ditën e inaugurimit të presidentit Donald Trump.

Duke folur në tubimin në Washington disa orë pasi Trump dha betimin si president, Musk falënderoi turmën duke vendosur dorën në zemër para se ta zgjaste e shuplakën ta mbante të kthyer poshtë.

“Vetëm dua të ju falënderoj që e bëtë të mundur këtë gjë – faleminderit”, u ka thënë Musk të pranishmëve, për mbështetjen për Trumpin.

Miliarderi, që është pronar i gjigantëve “Tesla”, “SpaceX” dhe “X”, ka qenë mbështetës i Trumpit gjatë gjithë fushatës.

Duke komentuar gjestin e Muskut, Erin Burnett analiste në CNN ka bërë krahasime të përshëndetjes me atë të famshmen e Adolf Hitlerit. Shumë në rrjete e kanë cilësuar njëjtë si lëvizje naziste që është e ndaluar në shumë vende të Evropës.