Elon Musk gati t’i bashkohet futbollit, kërkon të blejë gjigantin e njohur të Europës

Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk thuhet se ka treguar interes për të blerë aksione të Liverpool-it, duke përmendur një lidhje personale me qytetin, sipas babait të tij, Errol Musk.

Gjatë një paraqitje në Times Radio, i ati i miliarderit adresoi thashethemet për interesimin e djalit të tij për klubin e njohur anglez, të nxitura nga raportet që sugjeronin se njeriu më i pasur në botë po planifikonte të investonte në skuadrën e Premier League.

Kur u pyet nga prezantuesja Kait Borsay nëse Elon Musk kishte ndërmend të blinte Liverpool FC, Errol u përgjigj me kujdes: “Nuk mund të komentoj për këtë, ata do ta rrisin çmimin. Ai e ka shprehur dëshirën, por kjo nuk do të thotë se po e blen atë”.

I shtypur nëse blerja e klubit ishte një mundësi serioze, ai shtoi: “Ai do të donte, padyshim. Çdokush do të dëshironte. Gjithashtu edhe unë”.