Një sherr masiv me grushte dhe sende të forta ndodhi gjatë natës në fshatin Gjashtë në Sarandë. Mes personave të përfshirë në konflikt kishte dhe disa punonjës policie të cilët në momentin e ngjarjes ishin jashtë orarit të punës.
Nga sherri mbetën të lënduar dy persona të cilët pasi morën ndihmën mjekësore janë shoqëruar në Komisariat. Po ashtu është bërë shoqërimi i disa prej personave të konfliktuar përfshirë dhe punonjësit e policisë.
“Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar gjithashtu disa prej shtetasve të konfliktuar përfshirë punonjësit e Policisë jashtë shërbimit. Vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e të gjithë shtetasve të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor dhe AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim. /euronews.al/