Dimitrieska-Koçoska: Gjatë vitit që vjen presim rezultate më të mira bazuar në konceptin tonë që mbështetet në investime

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska pret që politikat e realizuara nga Qeveria e re, në fund të këtij viti të sjellin rezultate më të mira dhe ekonomi më të fuqishme.

Në profilin e saj në FB ajo shton se fundviti dhe fillimi i vitit të ri është koha kur shikojmë pas, respektivisht çfarë kemi bërë dhe për çfarë i kemi shpenzuar energjitë tona, si dhe çfarë pritshmërish kemi për vitin që vjen.

“Kemi lënë pas një vit në të cilin jemi përballur me shumë sfida. Në gjysmën e parë të vitit, energjia jonë u përqendrua në sigurimin e mundësive për t’u përballur me sfidat, ndërsa në gjysmën e dytë filloi puna praktike në terren – detektimi i situatës reale dhe ndërmarrja e masave konkrete për tejkalimin e tyre. Një pjesë të tyre i kemi lënë pas nesh, ndërsa për pjesën tjetër janë krijuar baza për zgjidhjen e tyre, por sigurisht që kemi ende shumë punë para nesh, sepse kemi zgjidhur çështje për të cilat nuk është punuar me dekada”, nënvizoi ministrja.

Ajo në njoftim përmes numrave e paraqet vitin që po dërgojmë. “Papunësia u ul në 12.3%, rritja e ekonomisë në tremujorin e tretë arriti në 3%. Buxheti realizohet sipas planit, repektivisht është stabil dhe i qëndrueshëm. Të hyrat shënuan rritje prej mbi 10% dhe kjo në kushtet e stabilizimit të inflacionit dhe inflacionit i cili ra nga niveli dyshifror vitin e kaluar në rreth 3.5%. Shpenzimet janë në suaza të planifikimit, ashtu si edhe deficiti. Borxhi publik menaxhohet nëpërmjet servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të mjeteve të nevojshme në kushtet më optimale të tregut. Investimet kapitale janë prioritet ku do të punojmë në vitin e ardhshëm dhe në fund të vitit për të ndarë rezultate pozitive”, thuhet në njoftim.

Ministrja shtoi se kanë kaluar vetëm gjashtë muaj nga ndryshimi i politikave që ka zbatuar Qeveria e re, me ç’rast nevojitet shumë energji për të hedhur themelet, ndërsa ka shumë energji që do të investohet për arritjen e qëllimit.

“Investimet janë baza e konceptit tonë të zhvillimit. Ne besojmë në realizimin e tyre dhe përfitimin që do të sjellin për të gjithë. Ato janë bazë për ekonomi më të zhvilluar dhe kompani më të fuqishme dhe konkurruese, më shumë të hyra në buxhet, shërbime më të mira që financohen nga paratë e qytetarëve – arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale, infrastruktura etj. Kjo do të thotë standard më të mirë për qytetarët, paga dhe pensione më të larta. Po hyjmë në vitin e ri me përkushtim të madh për të realizuar dhe krijuar një shoqëri për të cilën do të sigurojmë mirëqenie për të gjithë qytetarët”, theksoi ministrja e Financave.

Për Vitin e Ri, ministrja ju uron të gjithëve shëndet, lumturi dhe begati. “Ju uroj festat e fundvitit dhe një vit të mbarë. Sillni energji pozitive, shumë dashuri dhe mbartni gjithmonë me vete shpresën për një të nesërme më të mirë”, theksoi ministrja duke uruar festat.