Çmontohet banda e hajdutëve shqiptarë në Spanjë, si u zbuluan dy krerët e grupit në Paris

Një bandë shqiptare që vepronte në Galicia duke kryer grabitje të shtëpive luksoze është shkatërruar nga Garda Civile.

Garda Civile, në kuadër të operacionit Bizanti, shkatërroi një organizatë kriminale shqiptare të specializuar në vjedhjen e bizhuterive dhe parave në shtëpitë luksoze në Galicia dhe pjesë të tjera të Spanjës.

Gjashtë persona, përfshirë kreun e grupit kriminal u arrestuan. Hetimet filluan pas zbulimit në Villamartín de la Abadía (León), gjatë Krishtlindjeve 2023, të një automjeti të vjedhur në Itali.

Brenda makinës u gjetën mjete të përdorura për kryerjen e krimeve kundër pronës, si dhe targa kombëtare dhe të huaja. Banda vepronte në disa vende evropiane.

Anëtarët e grupit kriminal përdornin mënyra të sofistikuara komunikimi dhe targa të falsifikuara. Sipas mediave të huaja, grupi kishte kryer 16 grabitje në 30 ditë.

Në kuadër të operacionit u kryen pesë kontrolle në shtëpi në Barcelonë, Tarragona dhe Toledo, ku u gjetën prova të shumta të veprimtarisë kriminale, përfshirë edhe sende të vjedhura që tashmë u janë kthyer pronarëve.

Si nisi hetimi?

Fillimi i punës së agjentëve daton në fund të vitit 2023, kur u bënë të njohura sulmet në zonat e Galicisë dhe u zbulua prania e dy makinave të vjedhura në Itali, njëra prej tyre e nivelit të lartë, në provincën e Leonit, 20 kilometra nga provinca e Lugos. Kriminelët synuan të hynin në Galicia, por makina e tyre u prish.

Kështu nisi të gjurmohej banda, e cila sipas Gardës Civile kishte kryer 16 grabitje në vetëm një muaj dhe e cila, veç kësaj, vepronte në një ditë të vetme në çdo krahinë për të shmangur gjetjen e vendndodhjes së saj.

Brenda celulës kriminale shqiptare kishte shoferë, roje sigurie dhe specialistë për hyrjen në shtëpi.

Të gjithë ata përdorën sisteme të mbyllura komunikimi për të vepruar, gjë që jep një ide tpër faktin se sa “specialistë” ishin.

“Kanë udhëtuar mijëra kilometra duke ardhur e duke shkuar për të vepruar”, shpjegon Garda Civile, gjithnjë duke përdorur makina me targa false.

Shuma e përfituar vetëm nga vjedhjet e kryera në Spanjë, kap vlerën e 300 mijë eurosh, vetëm në periudhën e hetuar.

Në kohën kur studiuesit u përqendruan te anëtarët e organizatës, ata zbuluan se dy drejtuesit e saj kishin udhëtuar në Paris për Lojërat Olimpike, me qëllim që atje të kishin në dorë aituatën.

Megjithatë, vendosja spektakolare e sigurisë në kryeqytetin francez i dha fund synimeve të tyre. Të dy janë në burg, në pritje të ekstradimit në Spanjë për t’u paraqitur para gjykatës për veprat penale që u atribuohen.