Shkruan Berat Buzhala
Ose, kujt po i pisket Albin Kurti në tubime zgjedhore?
Me kë po komunikon? Me fisin e tij, pra, me militantët, për t’ju treguar që, edhe pse kryeministër, ai ende vazhdon të jetë ai ujku i moçëm? Me militantët e partive të tjera, për t’ju treguar që ai është më trim se udhëheqësit e tyre?
Apo me votuesin e pavarur, që ende nuk e ka vendosur votën, në mënyrë që ai të duket si një rock star, si një rebel i papërmirësueshëm, si një guerilë urbane, që nuk e qetëson as buxheti prej 3 miliardë eurosh, që nuk e rehaton as zyra e madhe e as xhipi i shtrenjtë?
A ndoshta, përmes piskamës, po komunikon me prokurorët e shtetit, siç bënte Ilir Meta? Ose, ndoshta, po komunikon me atë zyrtarin amerikan që thuhet se po përgatit lista të zeza për politikanët e Ballkanit? Ose ndoshta me të gjithë ata që i përmenda?
Një zor e ka, një siklet e ka, sepse nuk ngrihet kush që ka fituar pushtetin absolut politik, 50 përqind të votave, përmes fushatave të qeta dhe civile, dhe ta ndryshojë strategjinë, ta kalojë në, le të themi, “factory settings” të vetes, dhe pastaj t’ua kërkojë qytetarëve të japin edhe më shumë se 50 përqind të votave.
Duket si një strategji kundërintuitive. Ky popull i ka dhënë vota Rugovës, sepse e ka parë si të qetë, vizionar dhe unifikues. Ky popull i ka dhënë vota Thaçit, jo aq shumë sa Rugovës e Albinit, por edhe ato që ia ka dhënë, ka vendosur t’ia japë, pasi ai u moderua dhe u bë më i butë. Po kështu ka ndodhur edhe me Albinin.
Kur ai bërtiste dhe shkarravitke, i jepnin 10-15 përqind, por në momentin që vuri kravaten, ndryshoi mënyrën e komunikimit, u bë më i hapur, si për njerëzit ashtu edhe për idetë, dhe vendosën ta shpërblenin me 20 e ca përqind, e më pas 50 e ca përqind të votave.
Pra, në kushte normale, njeriu do të priste që ai, të paktën për formë, të vazhdonte një strategji të ujkut të veshur me lëkurë qengji, sepse raste kur dikush rritet politikisht nga i moderuari në radikal dhe arrogant, janë shumë të rralla.
Është mjaft ironike kjo sjellje e Kurtit, kur, vetëm para disa javësh, doli në një konferencë për shtyp dhe u tall me gazetarët që po piskasin nëpër studio televizive. Tha se ata kanë një zor. Pra, nëse piskama është një derivat i zorrit dhe sikletit, çfarë zorri ka ky?
Çdo vend ka disa rregulla të pashkruara kulturore që e diktojnë mënyrën se si mbahet raporti me audiencën dhe si i adresohet asaj. Ato kultura, ku bën pjesë edhe kjo e jona, që priren kah ligjërimi i përmbajtur, zor që e kapërdisin një kryeministër që uluron, bën skena e gjeste si këto që tashmë po bëhen të rregullta në çdo miting të Vetëvendosjes.
Sjellje të tilla, ku nuk kuptohet se ku është zëri i lartë dhe ku dhuna verbale, mund të bëhen rasti ku humbet gjithë trashëgimia e tij politike.
Albini, ky i pesëdhjetë e gjashtë viteve të fundit, investoi në imazhin e tij si politikan që dallon prej të tjerëve me interesimin e tij për kulturë, për art, për teatër, Albini që merr pjesë në Festivalin e Kanës, Albini që viziton ekspozita arti në New York, Albini që ndan momente për të dedikuar urime e kujtime për artistë nga bota.
Për pak do të merret vesh nëse edhe Albini do të ketë fatin e ish-guvernatorit të Vermontit, kandidatit për president të Amerikës, Howard Dean, i cili për një gafë shumë më të vogël e pësoi keq në zgjedhjet e brendshme në shtetin e Iowas më 2004.
Sot e kësaj dite në Amerikë flitet për gafën “Dean scream”, fjalimin e tij me 19 janar 2004 para mbështetësve të tij demokratë. Dean humbi keq përballë rivalit të tij, John Kerry.
Sot e kësaj dite, me ironi, kjo gafë kujtohet edhe si “I Have a Scream Speech”, por pyetja që duhet të bëhet te ne është nëse do të akomodohen këto sjellje të Albinit.
Njerëz që i kanë qëndruar dikur afër tij, pra njerëz të oborrit të Albinit, e kujtojnë atë si “sedërli”, pra dikush që prekej edhe për një fjalë, bëhej vesvese edhe për një gabim në fjalimet e tij, ose edhe që i thërriste redaksitë e gazetave që të hiqej një gabim drejtshkrimor nga artikujt e tij para se të shkonin në botim.
Albini i këtyre ditëve nuk do ta ketë një moment për ta tërhequr pas çdo sjelljeje, gjestikulacioni apo ekranozimi tjetër. Ai po hyn në një rrugë ku zor do ta ketë rikthimin te normalja.
A ndoshta, për shkak të shumë problemeve që ka para vjeshtës, ai vetë po do t’i humbë zgjedhjet?
Ndoshta po bën autosabotazh, në mënyrë që dikush tjetër të vijë në pushtet, të pastrojë rëmujën që ai ka shkaktuar, dhe ai pastaj të rikthehet pas katër vjetësh.