Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, u shua këtë të shtunë 25 janar, në moshën 95-vjeçare, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në spital dhe një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Ai ndërroi jetë në Athinë, në spitalin “Ungjillizimi”, ku po merrte trajtimin pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.
Janullatos pësoi hemorragji gastrike, dhe pas disa ditësh trajtimi në një spital privat në Tiranë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke e detyruar atë të transportohej më 3 janar drejt Athinës me një avion të Forcave Ajrore. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe kujdesit intensiv që ai mori, gjendja e tij u përkeqësua përditë, për shkak të funksionimit të pamjaftueshëm të disa organeve.
Trupi i tij do të sillet në Tiranë për t’u nderuar me homazhe. Detajet e ceremonisë mortore do të vendosen nga Sinodi i Shenjtë.
Kush do ta udhëheqë Kishën Otodokse?
Pas vdekjes së Kryepeshkopit, brenda dy javësh pritet të mblidhet Sinodi i Shenjtë, i cili përbëhet nga 6 mitropolitë. Ata do të votojnë për të zgjedhur Kryepeshkopin e ri, sipas rregullave dhe traditave të Kishës Ortodokse.
Në përputhje me ligjet kanonike, Kryepeshkopi i ri duhet të jetë një nga mitropolitët ekzistues, dhe zakonisht përparësi ka ai që konsiderohet më i vjetri në shërbim.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi, shihet si kandidati më potencial. Ai ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i Kryepiskopit Anastas, duke i qëndruar pranë deri në momentet e fundit.
Gjithashtu, Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës do të ketë një rol këshillimor, për të siguruar që procesi të zhvillohet në harmoni me traditat dhe kanonet e Kishës Ortodokse.
Udhëheqja e re do të ketë një detyrë të rëndësishme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë shpirtërore të Kryepiskopit Anastas dhe për të vazhduar misionin e tij të shërbimit.