Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut 9.7 miliard euro / Çdo qytetar 5300 euro borxh

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, vitin 2024 e përmbyllin me borxh publik prej 9.7 miliard euro, ose 62,7% nga Prodhimi Bruto Vendor. Çdo banor i vendit, në fakt ka borxh prej rreth 5300 euro. Kjo nuk ka të bëjë me borxhin e qytetarëve ndaj bankave por me paratë e harxhuara të shtetit për qëllime të ndryshme. Borxhi publik në fakt në tremujorin e tretë të vitit 2024 shënonte 8.8 miliard euro, por kjo shumë u rrit pas kredisë që mori shteti nga Hungaria për subvencionimin e komunave për projekte infrastrukturore.

Përpos kësaj, Qeveria së fundmi arriti marrëveshje edhe për mbështetjen e bizneseve deri në 10 milion euro për biznes. Ashtu edhe siç pati paralajmëruar, Qeveria mori 1 miliard euro hua nga Hungaria. 500 milion u destinuan për zhvillimin e komunave. Paratë ndahen në dy pjesë, fillimisht 250 milion tani dhe 250 milion që do të ndahen vitin e ardhshëm. Ndërsa 500 milionë të tjera, Qeveria do t’i shfrytëzojë për të paguar borxhin ndaj Bankës Evropiane, i cili ishte marrë në vitin 2018. Afati për kthimin e këtij borxhi skadon më 25 janar 2025.

Përpos rritjes së borxhit publik, qytetarët u përballën edhe me rritje të shportës minimale konsumatore e cila në muajin dhjetor, shënon plot 62,861 denarë, ndërsa në muajin dhjetor vitin e kaluar shënonte 56,522 denarë. Kjo vjen pasi produktet bazë për ushqim, pije, higjienë, veshmbathje e të tjera, u shtrenjtuan tejmase.

Për të ndihmuar qytetarët në nevojat e tyre, Qeveria disa herë gjatë vitit vendosi marzha të fitimit të mijëra produkteve ushqimore me qëllim uljen e çmimeve me pakicë. Megjithatë, këto masa asnjëherë nuk ishin të kënaqshme për qytetarët ndërsa ankoheshin se mezi ia dalin deri në fund të muajit. Masa e fundit e Qeverisë, shporta e vitit të ri, ishte në fakt marrëveshje mes Qeverisë dhe bizneseve, që këto të fundit vullnetarisht të ulin çmimet e produkteve por në fakt u konstatua se marketet, paraprakisht kishin shtrenjtuar çmimet në mënyrë artificiale, me qëllim që me zbritjen e paralajmëruar të vijnë përsëri te çmimi i vjetër. Në kuadër të masave të Qeverisë, ishte edhe vendosja e marzhës për pajisjet shkollore, në prag të fillimit të vitit shkollor në muajin shtator. Çmimet e pajisjeve u zbritën nga 5 deri në 10% e që në shumicën e pajisjeve, dallimi në çmim shënonte 1, 2 apo 5 denarë.

Masë e cila u përshëndet nga qytetarët, veçanërisht nga pensionistët, ishte vendimi për rritjen e pensioneve për 2500 denarë, e përsëri në muajin mars të vitit 2025, do të rriten edhe për 2500 denarë të tjera. Kështu, pensioni minimal vitin e ardhshëm, do të shënojë diçka më tepër se 18 mijë denarë.

Përpos pensioneve, Qeveria në muajin mars rriti edhe pagën minimale, e cila tani shënon 22,567 denarë. Kjo rritje erdhi në korniza të nenit 4 nga ligji për pagë minimale, lartësia e së cilës, në mars të çdo viti harmonizohet me 50% nga rritja e pagës neto të paguar për vitin e kaluar dhe 50% nga rritja e indeksit për harxhime për jetë për vitin e kaluar. E njëjta do të ndodhë përsëri në mars të vitit 2025. Megjithatë, sindikalistët thonë se paga minimale edhe më tej është shumë e ulët dhe e njëjta duhet të shënojë së paku 450 euro. Ndërkohë paga mesatare në tetor të vitit 2024, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shënonte 42,134 denarë.
Kohë më parë Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2025 i cili sipas ministrisë së financave, është zhvillimor dhe me komponentë sociale. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliard denarë ndërsa harxhimet rreth 400 miliard denarë, me çka, deficiti buxhetor është projektuar në vlerë prej 41,3 miliard denarë, apo 4% nga bruto prodhimi vendor i planifikuar. Sipas buxhetit, rritja e ekonomisë është projektuar në 3,7% ndërsa inflacioni në 2.2%. /Alsat.mk