Bie shtylla elektrike, Tajmishti nga Kërçova 11 ditë pa rrymë

Banorët e fshatit Tajmisht të Kërçovës ka 11 ditë që po përballen me mungesën e energjisë elektrike. Ata kanë pësuar dëme sepse shumë ushqime që i kishin blerë për festat e fundvitit tanimë i kanë hedhur në kosh të plehrave. Vitin e Ri e pritën në errësirë, ndërsa thonë se kjo situatë tashmë është bërë e padurueshme. Kërkojnë intervenim sa më të shpejtë.

“Nuk kemi energji elektrike nga 24 dhjetor 2024 nga ora 10:20 minuta, nga ai moment u ndërpre energjia elektrike. Nga ajo ditë e deri më tani janë mbushur 10 ditë kemi hyrë në ditën e 11 që nuk kemi energji elektrike”

Ju xhiruat poshtë! Ata thonë se tereni është i vështirë. Unë personalisht jam lajmëruar 5 herë në EVN në Shkup dhe ata na thonë do ta rregullojnë sot, nesër. Ndërsa siç e dini faktikisht fshati Tajmisht tanimë 2 javë është pa rrymë”

“Ngrohemi me dru, lahemi me koritë, kam banjo por kot, jetojmë si më para në ish-Jugosllavi. Unë di sa mish kam hedhur, tri sirtar të njërit frigorifer, plus tjetri dhe vetëm unë e di çfarë kam hedhur”

Për këtë situatë TV21 kërkoi qëndrim edhe nga EVN nga ku thonë se çdo ditë bëhen përpjekje për të arritur në vendndodhjen e shtyllës, por siç shtojnë, terreni është i vështirë.

“Në fshatin Tajmishtë të Kërçovës, si pasojë e motit të lig ka ndodhur defekt i përmasave më të rënda gjatë të cilit ka rënë shtylla me grila të çelikut, e cila është kyçe për furnizimin e kësaj zone.

Përveç kësaj, ekipet e Elektrodistribuimit përballen me terren krejtësisht të paqasshëm. Çdo ditë bëhen përpjekje për të arritur në vendndodhjen e shtyllës, por për momentin kushtet në terren aspak nuk e lejojnë. Për situatën është në dijeni edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave”, thonë nga EVN.