BE lehtëson sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

Pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, Bashkimi Evropian ka vendosur që të pezullojë gradualisht sanksionet ndaj Sirisë.

“Ne arritëm marrëveshjen politike për të filluar lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë. Kjo mund t’i japë një shtysë ekonomisë siriane dhe të ndihmojë vendin të rimëkëmbet”, tha kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

“BE do të rrisë gjithashtu ndihmën humanitare dhe përpjekjet e rimëkëmbjes”, tha Kallas.

“Ministrat e jashtëm të BE vendosën për një qasje hap pas hapi dhe të fillojnë me sanksionet që po pengojnë më shumë ndërtimin e vendit”, tha ajo, pa dhënë detaje.

Qeveria e përkohshme e Sirisë e përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë një ‘hap pozitiv’.

Ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani tha se Damasku shpreson se sanksionet do të hiqen përgjithmonë.

“Shpresojmë që ky vendim të ketë një ndikim konstruktiv në të gjitha fushat e jetës për popullin sirian dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm”, tha ai.