BDI reagon ndaj gjuhës së papërshtatshme të Presidentes së Shtetit për agresionin në Ukrainë

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë e thellë ndaj deklaratave të fundit të Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë pritjes për trupin diplomatik, ku agresioni i paprovokuar dhe i dhunshëm i Rusisë ndaj Ukrainës u përshkrua si “operacion ushtarak”.

Një narrativë e tillë është e papranueshme dhe bie në kundërshtim me qëndrimet e shtetit tonë si anëtar i NATO-s dhe aspirant për integrim evropian. 

Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një “operacion ushtarak” relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas.

BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit. 

Përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të pasqyrojnë qartë dhe me përgjegjësi pozicionin e vendit tonë, duke respektuar angazhimet tona ndërkombëtare dhe aleancat strategjike.

I bëjmë thirrje Presidentes të reflektojë mbi përgjegjësinë e saj për të përfaqësuar me dinjitet dhe qartësi interesat dhe vlerat e Maqedonisë së Veriut. 

Qytezarët  tanë e kanë bërë të qartë se qëndron në anën e paqes, demokracisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.