Ballkani i Hapur/ BDI: Dikur tradhëti kombëtare – VLEN sot zbaton politika të kësaj nisme

Deri sa ishin në opozitë, partitë e koalicionit VLEN, bënë betimin e madh: Ditën e parë në pushtet, do ta tërheqim Maqedoninë e Veriut nga Open Balkan! – reagojnë nga BDI-ja duke shtuar se me këtë premtim, sic thonë, mashtruan votuesit, e përdorën si armë politike për të sulmuar qeverinë e mëparshme, organizuan një fushatë të egër duke e etiketuar këtë iniciativë si të dëmshme për vendin dhe si një projekt antikombëtar sipas kahjeve të Albin Kurtit.

“Por sot, në pushtet, pa legjitimitet, jo vetëm që nuk e kanë tërhequr vendin nga Open Balkan, por qeveria e tyre tani e sheh atë si një projekt pozitiv dhe Shkupi dhe Beogradi janë shndërruar në partnerë strategjik në rajon. Ata tani kanë partner kryesor Ivan Stoiljković, përfaqësuesi më ekstrem i interesave ruse dhe serbe në Maqedoninë e Veriut! Dikur e quanin Open Balkan një tradhti kombëtare, sot ministrat e tyre janë duke përgatitur dokumentet dhe duke zbatuar politikat e kësaj iniciative!” – thonë nga BDI.

BDI, sic thuhet në reagim, dënon me ashpërsi këtë mashtrim politik dhe nga VLEN kërkon përgjigje të menjëhershme:

BDI

-Pse gënjyet qytetarët?

-Pse nuk u tërhoq vendi nga Ballkani i Hapur?

-Si u bë Maqedonia e Veriut pjesë e “botës sërbe” duke vendosur Stoilkoviçin në krye të marrëveshjes së Ohrit?

Kundërpërgjigjen nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, BDI-ja ka mbet e vetmuar dhe në prag të shkatërimit, populli shqiptar e dënoi me votë, partitë maqedonase me bojkot të plotë kurse faktori ndërkombëtarë ia dha goditjen e fundit.

BDI-ja sot është shndërruar në sinonim të krimit dhe korrupsionit, është partia më e pa dëshiruar në të gjithë vendin. Tani, ata mund t’i fajësojnë qytetarët, edhe partitë maqedonase, që besa edhe faktorin ndërkombëtarë. Por, janë faktet konkrete që dëshmojnë të vërtetën reale.

Koalicioni “VLEN” kishte premtuar largimin e Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”, si pjesë e platformës së tyre elektorale. Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit Mickoski në aktivitetet e “Ballkanit të Hapur”, vitin e kaluar në Serbi, ngjalli debate mbi prioritetet dhe qasjen e Qeverisë aktuale ndaj kësaj iniciative.