Andonovski: Zgjidhje sistematike për pagat në administratën shtetërore, protestat nuk janë zgjidhje

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski vlerëson se problemi me rritjen e pagave në administratn publike është i ndërlikuar dhe kërkon zgjidhje sistematike. Sipas tij, zgjidhja është sistem për paga, i cili do të mundësonte që të punësuarit me kompetenca të njëjta të marrin pagë të njëjtë. Për protestën e nesërme të të punësuarve në tetë ministri, Andonovski thotë se nuk duhet menjëherë të shkohet në protestë, pa u diskutuar dhe gjetur zgjidhje.

Sipas Andonovskit, problemi i përgjithshëm është se një pjesë e ministrive dhe një pjesë e institucioneve në periudhën e kaluar kanë nënshkruar marrëveshje kolektive me ligje individuale, kanë arritur t’i rrisin pagat e punëtorëve të caktuar në ato institucione, ndërsa administrata në ministritë në përgjithësi është lënë me të njëjtat paga si më parë dhe nuk ka 30 për qind shtesë.

“Është lënë çdo Ministri vetëm të vendos se si do të ballafaqohet me problemin. E vetmja Ministri që ka nënshkruar marrëveshje të tillë kolektive para zgjedhjeve është Ministria e Financave. Ky është problem i përgjithshëm, janë miratuar ad hok zgjidhje. Kuvendi e ka rritur pagën e vet, arsimi sipëror e ka rritur pagën e vet, DAP-i…”, tha ministri.

Problemi i dytë, siç tha, është ajo se në Ministrinë e Transformimit Digjital më shumë se 15 vite ka njerëz, të cilët janë lënë në pozitat e punës me arsim të mesëm, edhe pse më shumë se pesë vite kanë mbaruar arsimin e lartë dhe të cilët 12 vite kanë mundur të avancohen.

“Nuk them që të punësuarit nuk meritojnë pagë më të lartë. Edhe ne po mendonim për një rritje prej 10 për qind vitin e ardhshëm, 30 për qind më tej. Por gjithçka duhet të vijë kur të pastrohen gjërat e lëna pas dore si përvojë e keqe”, theksoi ai.

Për protestën e nesërme, thotë se kjo është e drejtë demokratike, por se nuk duhet menjëherë të shkohet në protestë, por të bisedohet dhe të gjenden zgjidhje.

“Disa herë jam takuar me përfaqësuesit e sindikatës në Ministirnë time, DOJSH-së dhe Lidhjes së Sindikatave. Nuk mendoj se përgjigja e parë e ndonjë kërkese të pazgjidhur të sindikatave të jetë protesta. Gjithsesi, kjo është e drejtë e tyre, por besoj se nuk duhet menjëherë të shkohet në protestë, pa u diskutuar dhe të gjendet zgjidhje. Këtu jemi, qëndrojmë në dispozicion që të vazhdojmë me diskutime dhe të shohim si t’i tejkalojmë problemet”, tha Andonovski.

Të punësuarit në tetë ministri, në Entin shtetëror për statistikë dhe në Arkivin shtetëror nesër do të dalin në protestë, duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes kolektive dhe pagesën e 30 për qind të shtesës së pagës. Paraprakisht, të punësuarit në Prokurorinë shtetërore kanë filluar me grevë me kërkesat e njëjta.