Maqedonia e Veriut është nën ndikimin e një cikloni verior, me reshje të dëborës në viset malore por edhe në ato më të ulëta. Reshje më të dendura priten në pjeën veriperëndimore të vendit – njoftojnë metereologët.
Tashmë gjithkund është formuar shtresë dëbore. Nëpër disa qytete trashësia shkon në mbi 20 centimetra, derisa në pjesën perëndimore të vendit deri në mbi 50 centimetra.
Në viset malore dhe qendrat e skijimit reshjet e reja të dëborës do të tejkalojnë trashësinë prej 1 metri.
Me reshjet e dëborës, pritet rënie e ndjeshme e temperaturave. Javën e ardhshme, të mërkurëm, sipas metereologëve, temperaturat minimale do të zbresin në minus 10 gradë.
Institucionet kompetente sigurojnë se mekanizimi për pastrimin e rrugëve është në gatishmëri dhe nëse reshjet e dëborës përforcohen dhe nis paraqitja e akujve nëpër rrugë, kamionët dhe mjetet e rënda të transportit do të përjashtohen nga trafiku.
Probleme në komunikacion dhe lëvizjen e automjeteve të rënda të transportit paraqiten në disa drejtime rrugore, kryesisht në pikat kritike malore sikurse në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, Gostivar – Strazhë, Stracin – Dellçevë, ku vozitësve u rekomandohet që të jenë të kujdesshëm.
NP “Rrugët e Maqedonisë” ka njoftuar se i gjithë mekanizimi dhe fuqia punëtore janë në terren të angazhuar për patrimin e rrugëve, kurse në këtë process janë kyçur edhe firmat bashkëpunuese me qëllim të përballjes me efikase me reshjet e dëborës. /tvklan.mk/