Numri i të vdekurve nga një situatë e tensionuar gati njëmujore ndërmjet policisë dhe minatorëve të bllokuar që punonin ilegalisht në një minierë ari të braktisur në Afrikën e Jugut, është rritur në të paktën 87, tha policia të enjten.
Autoritetet u përballën me zemërimin në rritje dhe një hetim të mundshëm për refuzimin e tyre fillestar për t’i ndihmuar minatorët. Në vend të kësaj autoritetet vendosën që t’i detyronin të dilnin duke u ndërprerë furnizimin me ushqime.
Zëdhënësja e policisë kombëtare, Athlenda Mathe tha se 78 trupa u nxorën në një operacion shpëtimi të urdhëruar nga gjykata, me 246 të mbijetuar të nxjerrë nga nëntoka që nga fillimi i operacionit të hënën.
Mathe tha se nëntë trupa të tjerë ishin nxjerrë përpara operacionit të shpëtimit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Organizatat e komunitetit nisën përpjekjet e tyre të shpëtimit kur autoritetet thanë vitin e kaluar se nuk do të ndihmonin qindra minatorë, sepse ata ishin “kriminelë”.
Minatorët dyshohet se kanë vdekur nga uria dhe dehidratimi, megjithëse nuk dihen shkaqet e vdekjes.
Autoritetet e Afrikës së Jugut janë kritikuar ashpër për ndërprerjen e ushqimit dhe furnizimeve për minatorët në minierën e arit Buffelsfontein vitin e kaluar. Taktika për t’i shtrënguar ata të dalin, u dënua nga një nga sindikatat më të mëdha të Afrikës së Jugut, raporton VOA.
Policia dhe pronarët e minierës u akuzuan gjithashtu se hoqën litarët dhe çmontuan një sistem “ashensori”, që minatorët e përdornin për të hyrë në minierë dhe për të dërguar furnizimet nga sipërfaqja.
Një gjykatë urdhëroi autoritetet vitin e kaluar që të lejonin dërgimin e ushqimit dhe ujit për minatorët, ndërsa një vendim tjetër i gjykatës javën e kaluar i urdhëroi të fillonin një operacion shpëtimi.