Zv. Kryeministri i Parë Mexhiti, në panel diskutim me studentët: “Investimi tek të rinjtë është investim për të ardhmen”
Në një panel diskutues të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza”, zv. kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, diskutoi mbi sfidat dhe perspektivat e rinisë dhe arsimit cilësor në vend.
Në fjalimin e tij, z. Mexhiti theksoi se rinia dhe arsimi janë shtyllat kryesore për një shoqëri të zhvilluar, duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë për të investuar në të ardhmen e të rinjve përmes projekteve konkrete dhe mbështetjes së qëndrueshme.
“Nëse duam një të ardhme të sigurt dhe prosperuese, duhet të investojmë sot tek të rinjtë dhe studentët tanë – jo vetëm me fjalë, por me projekte konkrete,” tha z. Mexhiti.
Ai ndau disa nga vendimet kyçe të qeverisë për fuqizimin e arsimit dhe mbështetjen e rinisë:
Investim në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” – Me një fond prej 35 milionë eurosh, qeveria ka siguruar ndërtimin e një kampusi modern, që synon të përmirësojë infrastrukturën dhe të krijojë një mjedis frymëzues për studentët dhe stafin akademik.
Mbështetje për studentët – Nga viti 2025, do të ofrohen vauçerë prej 250 eurosh për blerjen e pajisjeve teknologjike si kompjuterë, telefona apo tableta, duke lehtësuar qasjen në mjetet e nevojshme për arsimimin cilësor.
Fondi prej 10 milionë eurosh për të rinjtë – Ky fond është i dedikuar për zhvillimin e bizneseve të reja, me financim deri në 30,000 euro për çdo projekt të suksesshëm, duke mbështetur idetë dhe iniciativat e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.
Z. Mexhiti i ftoi studentët të jenë aktivë dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me institucionet për të adresuar sfidat e tyre.
“Studentët nuk janë vetëm pjesëmarrës në auditorë, por edhe partnerë të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së vendit. Bashkë, mund të krijojmë një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë,” përfundoi z. Mexhiti.