Zgjedhjet në Kosovë/ Certifikimi i Listës Serbe – KQZ pret afatet ligjore!

48 orë janë afatet ligjore pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dfhe parashtresa që pastaj Komisioni Qendror I Zgjedhjeev të vendosë për të vënë në rend dite çështjen e certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore” – tha Valmir Elezi-Zëdhënës i KQZ-së.

PZAP-ja në vendimin e saj pas ankesës së Listës Serbe tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Sipas këtij Paneli Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Më 23 dhjetor, anëtarët e KQZ-së nga, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe parti kjo që konsiderohet më e madhja e komunitetit serb në Kosovë e që gëzon përkrahjen e Beogradit.