Zbulohet prapaskena, çfarë i kërkoi Haaland mbrojtësit të Juventusit pas ndeshjes

Kush e pa Haaland para dhe pas goditjes “panenka”, të ndalur nga Di Gregorio?

Askush, siç tregojnë statistikat e UEFA-s: vetëm 20 prekje të topit dhe 9 pasime për të gjithë ndeshjen.

Sulmuesi norvegjez u neutralizua plotësisht nga mbrojtja e Juventusit.

Një performancë monumentale nga Federico Gatti, jo vetëm për aksionin që çoi te goli i Vlahovic, por edhe për mënyrën se si ngriti një “mur” kundër Haaland, pa përdorur ashpërsi.

Sulmuesi i Manchester City madje e nderoi mbrojtësin italian.

Përpara se të kthehej në dhomat e zhveshjes, norvegjezi i kërkoi fanellën Gattit, një gjest që Federico e ktheu në të njëjtën mënyrë, ndryshe nga ajo që ndodhi në shtator, kur City-Inter përfundoi 0-0 në “Etihad”.

Në atë rast, Haaland, pas një markimi të ashpër nga Acerbi, e pyeti me humor mbrojtësin italian nëse donte fanellën e tij. Situata përfundoi me një të qeshur dhe përqafim…

Të mërkurën mbrëma, në “Allianz Stadium”, Gatti, “nxënësi”, arriti ta tejkalonte “mësuesin” interist, duke treguar një paraqitje mbresëlënëse.