Vuçiqi flet me Kallasin për zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve për Rusinë

Në Bruksel, gjatë ditës së sotme, shefja e re e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka pritur në takime të ndara liderët e Kosovës dhe të Serbisë.

Përmes një postimi në platformën X, Kallas tha se në takimet e ndara me Albin Kurtin dhe Alleksandar Vuçiqin ka kërkuar që përgjegjësit e sulmit terrorist në “Ibër-Lepenc” të dalin para drejtësisë.

E për takimin, Vuçiqi shkroi në profilin e tij në Instagram. Ai tha se në takim u fol për dialogun dhe për rastin Banjska, raporton Klankosova.tv.

“Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas. Folëm për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, shkroi Vuçiqi në Instagram.

Ndër të tjera, presidenti serb ka zhvilluar takime edhe me Ndihmës Sekretarin Për Çështjet Evropiane Dhe Euraziane, James O’brien.

Ai tha se me zyrtarin amerikan ka folur për “eskalimin e situatës në Kosovë”, mes tjerash.

Ndërkaq, takim Vuçiqi ka zhvilluar edhe me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Me Miroslav Lajçakun për ngjarjet në Kosovës dhe për kërcënimet e fundit të sigurisë dhe të drejtat e serbëve. E ritheksova se po bëjmë një hetim serioz dhe se do të bashkëpunojmë me të gjithë për të zbardhur faktet, autorët dhe para së gjithash porositësit e asaj që ndodhi në fshatin Varagë, rast i cili ka shërbyer për sulm hibrid mbi vendin tonë”, shkroi Vuçiqi në Instagram.

Ai tha se “Serbia do të bëjë gjithçka dhe do të vazhdojë të insistojë në të vërtetën, drejtësinë dhe mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë, të cilët janë të ekspozuar ndaj presioneve gjithnjë e më brutale dhe arbitraritetit të regjimit në Prishtinë”.

“Nga BE-ja, si ndërmjetës dhe garantues i asaj që u arrit gjatë dialogut në Bruksel, presim gjithashtu angazhim më të fortë në këto çështje, të cilat janë kyçe për ne”, tha Vuçiqi. /Klankosova.tv