Vdekja e foshnjës 7 muajshe, BDI: Kërkojmë hetim të thellë, pakujdesia vazhdon të merr jetë të pafajshme!
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj rastit të foshnjës 7 muajshe e cila ka ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup.
Nga BDI thonë se në këtë klinikë kanë humbur jetë 5 fëmijë brenda pak muajve, ndaj kërkojnë përgjgjësi për ngjarjet e ndodhura.
KUMTESË
Me shqetësim të thellë dhe revoltë të madhe ndjekim raportimet për humbjen tragjike të një foshnje 7-muajshe, e cila, sipas denoncimeve, fillimisht ishte refuzuar për hospitalizim në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, për t’u pranuar vetëm pas 48 orësh, kur gjendja e saj ishte përkeqësuar deri në kolaps të organeve.
Ky rast i rëndë nuk është i izoluar, pasi në muajin e fundit e gjysmë janë raportuar humbje të jetëve të pesë fëmijëve në të njëjtën klinikë.
Këto ngjarje janë shembull i papranueshëm i neglizhencës dhe keqmenaxhimit në institucionet shëndetësore, të cilat duket se kanë humbur ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur më të pafajshmit – fëmijët tanë.
Mosveprimi në kohë dhe mungesa e kujdesit adekuat po kushtojnë jetë njerëzore, ndërsa institucionet heshtin përballë këtij realiteti tragjik.
Kërkojmë hetim të thellë, të pavarur dhe transparent për këtë rast dhe për të gjitha ngjarjet e ngjashme, për të identifikuar shkaqet e kësaj neglizhence dhe për të vendosur përgjegjësitë e plota ndaj përgjegjësve dhe strukturave që kanë dështuar në përmbushjen e detyrës së tyre.
Nuk mund të lejojmë që pakujdesia dhe neglizhenca të vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme.