Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Shkruan: Selam Sulejmani

Historia e vërtetë e popullit tonë mësohet nga shqiptarët vizionarë, nga ata që në periudha të caktuara nuk i shërbyen konformizmit kolektiv, por zgjodhën t’i shërbejnë sendërtimit të aspiratave shekullore. Filozofët thonë se historia e botës nuk është asgjë tjetër, veçse përparim i vetëdijes së lirisë. Ndërkaq, lirinë dhe trimërinë nuk i ndajnë dot dhe i cilësojnë si nënë e bijë. Me lirinë si koncept, nënkuptohet gjendje pa shtypje, pa kufizime e pa pengesa që e vështirësojnë veprimtarinë shoqërore; gjendje e një vendi kur nuk është i pushtuar, ose e një populli që rron i lirë dhe i pavarur.
Shqiptarët e Maqedonisë së dikurshme, ndër dekada ishin të privuar nga të drejtat themelore, për arsimim në gjuhën amtare, nga përdorimi i simboleve kombëtare, nga përfaqësimi adekuat në institucionet e shtetit dhe zhvillimi i veprimtarive në lëmenj të ndryshëm. Shqiptarët, në këto troje, kurrë nuk kanë reshtur së punuari për realizimin e të drejtave të tyre. Mjafton t’i kujtojmë përpjekjet për arsim e dije të bëra përgjatë historisë sonë të lavdishme, të udhëhequra nga postulati i Naim Frashërit se “vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar”. Këtë thirrje për zgjimin e kombit, e kuptuan më së miri intelektualët shqiptarë të udhëhequr nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani, të cilët 30 vjet më parë, në vitin 1994 e themeluan Universitetin e Tetovës, institucionin e parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Themelimi i UT-së, e përmbysi një herë e përgjithmonë analfabetizmin. Një herë e përgjithmonë i shkatërroi planet ogurzeza të qarqeve shoviniste të vendit dhe ato të huaja, për asimilimin e popullatës shqiptare që “jeton në këtë vend që prej kur s’mbahet mend”. Jetësimi i kësaj ideje, realizimi me sukses i këtij projekti madhor kombëtar, kërkonte kapacitete kadrovike, sakrificë, rezistencë, por mbi të gjitha guxim për ta sfiduar sistemin antidemokratik të asaj periudhe. Iniciativa për themelimin e Universitetit të Tetovës, u mbështet nga intelektualët e kohës dhe u përkrah gjerësisht nga populli shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e diasporë. Lindja e Universitetit shihej si “dielli që lind pas errësirës”.
Kështu edhe ndodhi. Kjo vatër e dritës dhe e diturisë – Universiteti i Tetovës, edhe përkundër torturave, persekutimeve të popullatës, burgosjes së themeluesit të saj profesor Fadil Sulejmanit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe rënies së dëshmorit Abdylselam Emini, e ndriçoi rrugën e përparimit dhe të zhvillimit të popullit shqiptar në trojet e tij arbërore. Themeluesi dhe Rektori i parë e historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, me “një laps dhe një fletore të vogël” e shpartalloi mësymjen e madhe të mijëra forcave policore-ushtarake sllavo-maqedonase, që vërshuan në fshatin Poroj e Reçicë, në fillimin e vitit akademik 1994/1995.
Si për ta përvijuar misionin në shërbim të kombit, Fadil Sulejmani u lind në vitin 1940, në vitin kur mbylli sytë At Gjergj Fishta, autori i 37 botimeve letrare, mbi të gjitha i poemës epike “Lahuta e Malcis”.
Në Porojin legjendar, Fadil Sulejmani u ngrit në lartësinë historike të poezisë “Shqypnia”, të vargjeve të Homerit shqiptar, Fishtës:
“Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt që ti ke ushqye;
Si ka pa, jo, kush tue hikun;
Frika e dekës kur si ka thye”.
Shumë pak personalitete kanë hyrë në histori me vepra kaq madhështore sikurse themeluesi i Universitetit të Tetovës. Ai, më 17 shkurt të vitit 1995, në fillimin e ligjëratave të para, me guximin e tij të pashoq, ndër të tjera theksoi se “…ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit, rruga e arsimit është rruga e paqes dhe kjo do të fitojë”. Dhe vërtet fitoi misioni i tij titanik, triumfoi guximi, dituria mbi barbarinë, shkolla mbi obskurantizmin mesjetar.
Po sot, “nën efektin emocional”, kujtoj se “Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e arsimit dhe të shkencës, për guximin qytetar dhe intelektual në themelimin e Universitetit të Tetovës, për arsimimin dhe emancipimin e gjeneratave të reja, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor, për ngritjen dhe zhvillim e mendimit shkencor dhe lirisë akademike”, themeluesi dhe Rektori i parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, në 18-vjetorin e Universitetit, më 17 dhjetor 2012, (nga Rektori i kohës, Prof. Dr. Vullnet Ameti), u laureua me titullin: Doktor Nderi i Shkencave. Po ashtu sot, më kujtohet se disa ditë pas kësaj ceremonie (dhjetor 2012), për arsye pune duhej të bisedoja me profesor Fadilin. Meqë profesori ndodhej në Prishtinë, komunikuam përmes telefonit. Në këtë bisedë u binda se është e vështirë ta ndash emrin e Universitetit të Tetovës nga emri i tij, njësoj sikurse liria dhe trimëria që bashkëjetojnë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Në këtë bisedë ku folëm për veprimtarinë arsimore-shkencore dhe të arriturat që kishte shënuar Universiteti i Tetovës përgjatë tetëmbëdhjetë vjetëve (1994-2012), duke u shndërruar në një qendër të mirëfilltë evropiane, themeluesi i UT-së, ishte po ai që kur bisedonte edhe në telefon, fliste sikur i drejtohej popullatës nëpër mitingje dhe protesta, se “Universiteti i Tetovës ka një histori sa të lavdishme e të bujshme, aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij universiteti shqip u derdhën shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe. Për këtë universitet dhe për këtë gjuhë, ranë dëshmorë shumë studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë si: Bedri Halimi, Zejadin Zimberi, Xhemil Abduramani, Burim Hyseini, Abdylselam Emini e të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot ndriçon rrugën e diturisë sonë”.
Fadil Sulejmani jeton e do të jetojë përjetë në ëndrrën më të bukur të çdo studenti, intelektuali dhe qytetari të vendit tonë e më gjerë. Me veprën e tij të përjetshme, dritën e arsimimit, projektin më madhështor në historinë moderne të këtyre trojeve, si shumë personalitete të njohura historike, Fadil Sulejmani tashmë i takon panteonit kombëtar.
Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!