Turqi, 12 të vdekur si pasojë e shpërthimit në një fabrikë ku prodhohen eksplozivë

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën ndërsa 3 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit në një fabrikë ku prodhohen eksplozivë në provincën Balıkesir, raporton Anadolu.

Shpërthimi ndodhi në pjesën e prodhimit të kapsulave të fabrikës së municionit për arsye ende të panjohura.

Pas ngjarjes në rajon janë dërguar shumë autoambulanca.

Guvernatori i Balıkesirit, İsmail Ustaoğlu tha se pas shpërthimit ekipet menjëherë janë dërguar në rajon.

“Si pasojë e shpërthimit, sipas vlerësimeve të para 12 punonjës kanë humbur jetën ndërsa 3 punonjës të tjerë të plagosur janë dërguar në spital. Tani me të gjithë ekipin jemi në vendngjarje”, tha ai.

Ai tha se në ndërtesat tjera përreth kanë ndodhur dëme si thyerje të dritareve. “Nuk është përhapur në një sipërfaqe të madhe, vetëm objekti është shembur”, tha Ustaoğlu.