Trump zgjedh Richard Grenellin si të dërguar për misione speciale

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka përzgjedhur Richard Grenellin, ish-shefin e tij të inteligjencës, si të dërguar presidencial për misione speciale, pozitë që duket se kërkon angazhim në drejtim të kundërshtarëve amerikanë, përfshirë Korenë e Veriut.

“Ric do të punojë në disa prej pikave më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, ka thënë Trump përmes një postimi në platformën e tij sociale, Truth Social, pa dhënë më shumë hollësi.

Një burim i afërt me zhvillimet, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se Grenell do të fokusohet edhe në tensionet në Ballkan.

Grenell ka shërbyer si ambasador i Trumpit në Gjermani, si i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si ushtrues detyre i shefit të inteligjencës kombëtare, në mandatin e parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, më 2017-2021.

Pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, emri i tij është përmendur vazhdimisht për mundësinë e përzgjedhjes për Sekretar amerikan të Shtetit, por më vonë në atë pozitë është nominuar senatori amerikan, Marco Rubio.

Emri i tij është përmendur dhe për pozitën e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por ajo detyrë i është besuar gjeneralit të pensionuar, Keith Kellogg.

Trump do të marrë detyrën zyrtarisht detyrën në janar.

Presidenti amerikan mund të emërojë të dërguar presidencial apo të posaçëm për t’u fokusuar në çështje globale, kriza, apo përpjekje specifike diplomatike./REL