Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka zgjedhur ish-senatorin David Perdue për të qenë ambasador në Kinë, duke përdorur një ish politikan me përvojë biznesi mes tensioneve tregtare.
“Ai do të zbatojë strategjinë time për të ruajtur paqen në rajon dhe një marrëdhënie produktive pune me liderët e Kinës”, tha Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social”.
Perdue, një republikan nga Xhorxhia, i cili shërbeu në Senat nga 2015-2021, ka jetuar më parë në Hong Kong dhe ka patur një karrierë 40-vjeçare si drejtues biznesi. Trump ka emëruar anëtarët e linjës së ashpër të Kinës për role të tjera të larta në administratën e tij, duke përfshirë senatorin Marco Rubio. Një sinjal ky që politika e tij mund të shkojë përtej masave tregtare.
Në mandatin e tij të parë si president, Trump emëroi ish-guvernatorin e Iowa-s, Terry Branstad, si ambasadorin e tij në Kinë. Branstad u përpoq të përdorte lidhjet e tij me zyrtarët kinezë, duke përfshirë Xi Jinping përpara se të bëhej udhëheqësi më i lartë i Kinës, për të ulur tensionet, por të dyja palët shpallën luftë tregtare mes njëra-tjetrës.
Roli i ambasadorit në marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe mbetet për t’u parë. Disa analistë thonë se Pekini ka të ngjarë të kërkojë angazhim të drejtpërdrejtë presidencial ose të nivelit të lartë me Trump dhe këshilltarët e tij më të afërt, në mënyrë që të sigurojë një ulje të tensioneve tregtare.
Trump, i cili merr detyrën më 20 janar 2025, ka thënë se do të vendosë një tarifë shtesë prej 10% për mallrat kineze nëse Pekini nuk bën më shumë për të ndaluar trafikimin e fentanilit. Ai kërcënoi gjithashtu tarifa mbi 60% për mallrat kineze gjatë fushatës.