Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka ftuar presidentin kinez Xi Jinping të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 Janar 2025, sipas burimeve të cituara nga CBS News.
Ftesa u bë menjëherë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale në Nëntor, por nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare nga lideri kinez apo ambasada kineze në Uashington. Javën e kaluar presidenti i zgjehdur për NBC News u shpreh se me presidentin kinez kishte patur një komunikim shumë të mirë, pa dhënë detaje rreth bisedës mes tyre.
CBS News u shpreh se zyrtarët po bëjnë plane që më shumë personalitete të huaja të marrin pjesë në ceremoninë e betimit më 20 Janar.
“Liderët botërorë do të jenë të pranishëm për t’u takuar me presidentin Trump, sepse ata e dinë se ai së shpejti do të kthehet në pushtet dhe do të rivendosë paqen përmes fuqisë amerikane në mbarë globin,” tha zëdhënësja e tranzicionit të Trumpit, Karoline Leavitt.
Por në nëj reagim Kremlini ka bërë të ditur se nuk kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 Janar.
Raporti i ftesës për presidentin kinez Xi Jinping erdhi disa ditë pasi Trump kërcënoi se do të rrisë tarifat për mallrat kineze. ShBA-ja vendosi gjithashtu një afat 19 Janarin, një ditë para inaugurimit presidencial, për ‘ByteDance’, kompaninë mëmë kineze të ‘TikTokut’, që t’ua shesë aplikacionin e mediave sociale ose të përballet me një ndalim masiv në vend.
Ky vendim përputhet me politikën më të gjerë të Trump për adresimin e shqetësimeve të sigurisë kombëtare dhe zbatimin e masave më të rrepta tregtare. Inaugurimi i ardhshëm më 20 Janar pritet të tërheqë vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare.