Sulmi izraelit në Gazë i vret 8 persona nga e njëjta familje, thonë zyrtarët shëndetësorë

Një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës i ka lënë të vdekur të paktën tetë njerëz nga familja e njëjtë, thanë të martën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Shumica e të vdekurve në këtë sulm janë gra dhe fëmijë, sipas tyre.

Sulmi ndodhi të hënën natën dhe e goditi një shtëpi në lagjen qendrore, Daraj, në qytetin Gaza, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Një baba me tre fëmijë dhe gjyshja e fëmijëve ishin në mesin e trupave të nxjerrë nga rrënjat, sipas Associated Press.

Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar këtë sulm.

Lufta e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL