Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, pas kthimit nga Haga ka thënë se gjatë intervistimit në Gjykatën Speciale i ka shërbyer drejtësisë.
Ai në pritjen e organizuar nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila u mbajt në sheshin “Mujë Krasniqi”, në Klinë, tha se pushimi i hetimeve 5 vjeçare ndaj tij, është inkurajim për të dhe bashkëluftëtarët e tij.
“Po, të thuash UÇK i ke thënë të gjitha. Prandaj çdoherë dhe në çedukohej do ta mbrojmë këtë luftë të shenjët . Historia nuk mund të rishkruhet më, ajo është shkruar me gjakun e shumë bashkëluftëtarëve. Kjo histori nuk tjetërsohet, ne do të kemi sfida, do të kemi barriera por të jeni sigurt që ato sfida e barriera nuk na kanë ligështuar dhe nuk do të na ligështojnë kurrë, ne do të dalim faqebardhë, do të dal faqebardhë UÇK-ja për arsye se ajo ishte burim i vullnetit të juve qytetarë të nderuar, andaj faleminderit shumë për këtë pritje që më keni bërë”, tha ai.