Snopçe: Investojmë në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale

Deputeti i Koalicionit VLEN, Halil Snopçe, gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare rreth buxhetit, tha se sipas disa hulumtimeve të institucioneve relevante si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FNM), Këshilli i Evropës, të gjithë kanë një konstatim unanim që shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi krahasuar me pjesën tjetër të BE-së, kanë një decentralizim fiskal të nivelit shumë të ulët.

“Pra, kemi një decentralizim fiskal të nivelit prej 5-6% në shtetet e Ballkanit Perëndimor karshi të një niveli prej 40-50% të vendeve anëtare të BE-së. Sipas konstatimit të këtyre institucioneve, thuhet se qeveritë në vazhdimësi në Maqedoninë e Veriut, kanë manifestuar mungesë të vullnetit politik për të zmadhuar autonominë ekonomike dhe financiare të vetëqeverisjes lokale dhe të shmangin pabarazinë lokale dhe territoriale që janë prezent në vendin tonë”, ka deklaruar Snopçe.

Sipas tij, rekomandimet e ekspertëve kanë qenë që të shpenzohet një për qind e BPV për ta shmangur këtë pabarazi të cilën qeveritë e kaluara asnjëherë nuk e morën për bazë edhe pse ka qenë obligim ligjor i të gjithëve. Ai tha se këtë vit për herë të parë janë planifikuar një për qind e BPV për zhvillimin e vetëqeverisjes lokale. Snopçe shtoi se pikërisht edhe këtu është dallimi mes kësaj qeverie dhe qeverive të kaluara, ku gjysmë këtë vit dhe gjysmë në viti ne ardhshëm po ndanë 800 milion euro për investime kapitale në komuna.