Sirianët të zemëruar, bëjnë thirrje për ekzekutimin e presidentit të rrëzuar Assad

Zemërimi në kryeqytetin sirian është i dukshëm ndërsa familjet kërkojnë për të dashurit e tyre, që rezultojnë të zhdukur, ose kanë vdekur në sistemin e egër të burgjeve të qeverisë së rënë.

Siç njofton nga Damasku, korrespondentja e e Zërit të Amerikës Heather Murdock, gjatë një tubimi në kryeqytetin sirian, pjesëmarrësit bënë thirrje për ekzekutimin e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad.

Në Damask zemërimi i thellë është i pranishëm kudo.

Gjatë funeralit të një viktime të torturës në burg, të pranishmit bëjnë thirrje për ekzekutimin e presidentit Bashar al-Assad, më pak se një javë pasi ai u largua nga vendi.

Ata me të cilët foli Zëri i Amerikës, tregojnë se kanë humbur dikë në sistemin e egër të burgjeve që ra bashkë me regjimin.

“O Zot, ku është djali im? Dua ta shoh, ta mbaj dhe të ndjej aromën e tij. Nuk e di ku është. E morën nga unë. Shpresoj që Zoti t’i marrë ata”, shprehet e ëma e një të burgosuri.

I riu që po varrosej, Mazen al-Hamada, vdiq në burg pasi foli publikisht se ishte torturuar.

Në këtë spital familjet po kërkojnë për trupat e njerëzve që besohet se kanë vdekur së fundmi.

Fotografitë e trupave varen në muret jashtë. Na thuhet, se shumë prej tyre, kanë plagë që duket se janë pasojë e torturave.

Brenda spitalit, dhjetëra trupa nuk janë identifikuar ende. Por shumica e familjeve që kanë ardhur këtu nuk po i gjejnë të afërmit e tyre.

“Djemtë e mi janë arrestuar në vitin 2014, na dhanë certifikatat e vdekjes, por ne nuk e dimë se çfarë ndodhi me ta. Skena këtu është e papërshkrueshme. Të zemëron shumë”, tregon Majda Abu al-Omani, djemtë e së cilës rezultojnë të zhdukur.

Në burgun famëkeq Sednaya, të tjera familje kërkojnë të dhëna që mund t’i ndihmojnë të gjejnë të dashurit e tyre të humbur. Shumë besojnë se ka të burgosur të zhdukur që janë ende gjallë dhe gjenden në objekte sekrete.

“Ka shpirtra të gjallë nën këtë tokë. Dhe jo vetëm një apo dy. U bë katër ose pesë ditë që jemi këtu në Sednaya dhe deri më tani, asgjë”, tregon Khamis el-Ibrahim, i cili kërkon vëllanë e tij të zhdukur.

Gazetarja e Zërit të Amerikës Heather Murdock, në Damask, tregon se që kur gjendjet atje, shume njerëz i janë afruar për të shprehur zemërimin dhe trishtimin që ndjejnë, njëri prej tyre ishte shprehur se “bota e ka ditur për dekada se çfarë po ndodh këtu”, duke pyetur më pas se “përse mediat perëndimore po vijnë tani?/VOA