“Shyqyr Zotit fëmijët janë në numër të madh, kemi rritje të natalitetit”, Ibrahimi: E lus ministrin që të hapet çerdhja në Haraçinë
Kreu i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi i është përgjigjur ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, i cili kërkoi që Ibrahimi të kërkojë falje për deklaratën ku e kishte quajtur ministër jolegjitim, si kusht për hapjen e çerdhes në këtë komunë, përcjell TV21. Ibrahimi thotë se bashkërisht duhet t’u kërkohet falje banorëve, fëmijëve të kësaj komune, por edhe Bankës Botërore, që e ka financuar këtë projekt.
“Do t’i kisha kërkuar falje të gjitha atyre familjeve, gjithë atyre fëmijëve që ende sot e kësaj dite, mbi 20.000 banorë nuk e kanë të drejtën për këtë shërbim për ata fëmijë, që shyqyr Zotit janë në numër të madh, në kuadër të komunës. Ndoshta duhet së bashku t’i kërkojmë falje edhe Bankës Botërore që e ka financuar çerdhen. Në kuadër të të gjitha komunave në nivel republikan jemi në rritje të natalitetit dhe kjo tregon shumë se duhet në atë komunë të vazhdojnë investimet, e sidomos në këtë sferë. Unë mendojsha në këtë periudhë vetëm se të hapim qendra edhe në vendbanime të tjera, siç është Grushina, Orllanca e të tjera”, tha mes tjerash Ibrahimi./tv21.tv