Shërbimi sekret hungarez spiunoi zyrtarët e BE-së

Media hungareze dhe belge kanë raportuar se shërbimi sekret i Hungarisë (IH) ka spiunuar dhe përgjuar zyrtarë evropianë që vizituan Hungarinë midis viteve 2015 dhe 2017.

Spiunimi ka qenë i drejtuar kryesisht ndaj anëtarëve të Parlamentit Evropian, me vëmendje të veçantë ndaj hetuesve të Zyrës Evropiane për Luftën kundër Mashtrimit (OLAF).

Gjatë kësaj periudhe, OLAF po hetonte një kompani hungareze në pronësi të dhëndrit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, gjë që shkaktoi shqetësime në Budapest.

Sipas raportit, IH ka kryer kontrollime të paligjshme në dhomat e hoteleve dhe ka regjistruar biseda telefonike të delegacioneve evropiane.

Në disa raste, shërbimi ka marrë të dhëna nga laptopët e tyre, duke ngritur shqetësime për shkeljen e privatësisë dhe sigurisë së institucioneve evropiane.

Ndërkohë, qeveria e Hungarisë nuk ka komentuar për akuzat e ngritura, ndërsa zëdhënësi i kryeministrit, Bertalan Havasi, i ka quajtur raportimet “lajme të rreme”.

Hungaria është akuzuar edhe më parë për përgjimin e gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë.

Në vitin 2021, një ligjvënës hungarez pranoi se qeveria kishte blerë një softuer spiunazhi izraelit i njohur për aftësitë j për të përgjuar komunikimet, raportoi politico.

Këto akuza të reja shfaqen në një kohë kur marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Evropian janë përkeqësuar më tej për shkak të vendimeve të diskutueshme politike dhe kritikave mbi standardet demokratike.