Selmani: Politikanët t’ua kthejnë qytetarëve paratë e vjedhura, të ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët

Profesori dhe analisti nga Tetova, Bashkim Selmani, në një intervistë për Alsat, ka thënë se krimini në Maqedoninë e Veriut është institucionale dhe ka pasoja fatale për vendin. Ai thotë se qytetarët duhet të kërkojnë kthimin e parave të vjedhura dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e ndërkombëtarëve.

“Shteti është i detyruar t’i kthejë mjetet dhe t’i kthejë paratë. Kjo është gjëja e parë. A e dini sa para mori me vete Gruevski? Këtu kemi organizatë mafioze e cila në aspektin e krimit të organizuar ka funksionuar në mënyrë perfide dhe do të funksionojë edhe në të ardhmen. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të kërkojmë ndihmë nga faktori ndërkombëtar për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Korrupsoni është institucional, politik me pasoja fatale. Kështu ka ndodhur në Bullgari, Hungari dhe vendet tjera, por ishte faktori evropian që ndihmoi në administrimin e situatës në këto vende dhe ne si qytetarë kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të ndihmojë që të kthehen paratë e vjedhura”, tha Selmani.