Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë të paktën 300 robër lufte para Vitit të Ri

Rusia dhe Ukraina kanë kryer një shkëmbim të shumëpritur të të burgosurve pak përpara Vitit të Ri.

Sipas mediave të huaja, Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se secila palë liroi 150 të burgosur lufte në një shkëmbim të hënën, megjithëse Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se 189 ushtarë të Kievit ishin sjellë në shtëpi.

Të dyja palët thanë se Emiratet e Bashkuara Arabe kishin vepruar si ndërmjetës, shkruan A2 CNN.

Robërit rusë u liruan në territorin e Bjellorusisë dhe po transferohen në Rusi, tha Ministria e Mbrojtjes.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka premtuar se sapo të marrë detyrën në janar të vitit të ardhshëm, do të punojë për një zgjidhje që do të çonte në përfundimin e luftës.

Kujtojmë se mijëra persona, civilë e ushtarakë, kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë, pas agresionit të pajustifikuar të nisur nga Rusia ndaj fqinjit të saj perëndimor.